Kosova
Kurti ftesë qytetarëve të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se siguria është një nga shtyllat bazë të qeverisjes së tyre.
“Policia e Kosovës, si një institucion që është gjithmonë me të gjithë ne, që nga themelimi i saj ka hapur dyert për dhjetëra gjenerata, djem e vajza, pa dallime në bazë etnike apo fetare. Të gjithë ata shërbejnë sot, me uniformë policie, me besnikëri dhe nder, kudo brenda Republikës”, ka thënë Kurti.
“Me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë – serbë, boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkali, egjiptianë, kroatë dhe malazezë – që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, të aplikojnë dhe të angazhohen për sigurinë e të gjithë qytetarëve brenda komunave në veri të Republikës së Kosovës”.
Mes tjerash Kurti ka potencuar se “Policia e Kosovës është për të gjithë ne, me të gjithë ne dhe në shërbim të të gjithëve. Nuk ka dhe nuk do të ketë dallime brenda saj apo në ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë”.