Connect with us

Shkrime

Kurti gjunjëzon kundërshtarët në Tiranë dhe Prishtinë, tërbohet Edi Rama

Nga ‘Bota Sot’

Prej vitesh, kryeministri Edi Rama është përpjekur që të shesë veten në SHBA e Evropë si liderin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu kryeministri shqiptar është përpjekur që të nxjerrë shpesh herë Albin Kurtin si një politikan që i takon të kaluarës dhe jo bashkëpunues kur vjen puna për çështje ndërkombëtare. Rama gjithmonë ka bërë opozitën në Prishtinë duke u bashkuar në ide e mendime dhe me kundërshtarët e Kurtit në Kosovë. Rama arriti deri aty sa pak kohë më parë hodhi dyshime se lideri i Kosovës do futet në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të konfliktit në veri.

Një gjë e tillë nuk ndodhi, madje që prej asaj periudhe Albin Kurti regjistroi vetëm fitore ndaj serbëve të Vuçiçit duke “gjunjëzuar” çdo zë kundër dhe në fund duke marrë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Kjo gjë ka “tërbuar” Edi Ramën. Sipas analistëve takimet e Ramës me Diasporën po ndodhin për arsyen se kryeministri po kërkon t’i tregojë komunitetit ndërkombëtar se është lider më popullor se Kurti te shqiptarët e shpërndarë nëpër botë.

“Rama me një gur do të vrasë disa zogj. E para do të lëri në hije dhe po rivalizon Albin Kurtin. Me këtë tur takimesh në gjithë Europën, duke shkuar deri në SHBA, ai po jep një mesazh te komuniteti ndërkombëtar se ai është lider më popullor te shqiptarët dhe diaspora sesa Albin Kurti. Me pjesëmarrjen në takim, popullariteti dhe lëvizjet masive sa do të vijnë e do të rriten. Do të jetë në Londër dhe në prag të europianit në Gjermani. Dhe këtë Rama do e shfrytëzojë politikisht. Në gjermani do jetë kulmi i vëmendjes së gjithë shqiptarizmit për shkak të Euro2024”, është shprehur Kreshnik Spahiu.

Po pse Kurti ka alarmuar Edi Ramën, saqë në një intervistë të fundit e sulmoi duke thënë se ai s’përmbushet nga epshi revolucionar? Përgjigjen e kësaj pyetje e japin fitoret e Albin Kurtit, ku për herë të parë Kosova ka marrë nën kontroll territoret që kanë qenë nën ndikimin serb.

Fitorja e parë e Albin Kurtit dhe historikja ndaj Serbisë është padyshim njohja e targave. Prej një janarit të këtij viti, makinat me targat e Kosovës (RKS) do të mund të lëvizin lirshëm nëpër territorin e Serbisë.

Vendimi prej qeverisë serbe për këtë u mor më 25 dhjetor të vitit që lamë pas, ndërkohë që autoritet serbe, midis tyre edhe vetë presidenti i Serbisë, Vuçiç, e quajtën atë një vendim “për të ndihmuar qytetarët serbë” të Kosovës. Para janarit, makinat me traga të Kosovës që hynin në Serbi, detyroheshin të mbulonin targat (RKS) me një shirit letre kur hynin atje. Propaganda serbe kishte bërë që qytetarët serbë të Kosovës, të merrnin targa të shtetit serb për makinat e tyre. Kur qeveria e Kosovës vuri kushte për t’u pajisur detyrimisht me targat e saj, atëherë qytetarët serbë të Kosovës vendosën t’i binden ligjit të këtij shteti edhe pse para kësaj pati përplasje dhe sulme nda Kurtit. Gradualisht ata u pajisën me targa të Kosovës.

Me këtë veprim ata u thane autoriteteve të Beogradit: boll u bëmë viktima të luftës politike midis dy qeverive. Duam të jetojmë të qetë atje ku jemi, pra në Kosovë, duke zbatuar ligjet dhe rregullat e saj. Shkurt, ata i dhanë një shuplakë përpjekjeve të autoriteteve të Beogradit për t’i përdorur për qëllime të mbrapshta. Kjo fitore e Kurtit, erdhi sigurisht nga mbështetja e amerikanëve. Të gjithë sulmonin Kurtin dhe i kërkonin të hapte rrugë pasi do përballej me sanksione, por ky i fundit qëndroi deri në fund stoik.

Një tjetër fitore historike e Albin Kurtit është heqja e dinarit serb. Vendimi i kryeministrit kosovar tregoi se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është një rregullore e një institucioni të pavarur. Serbia gjithë këto kohë nuk e ka patur hall që po ndalohet dinari, por po ndalohet dinari si mjet pagese dhe kjo është kërkesë e nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Vuçiç ka hall që po ndalohet cash-i, paraja e gatshme. Kurti për të pasur transparencë se kush, kujt i dërgon para me çfarë qëllimi, e mbështeti plotësisht këtë rregullore të BQK-së që është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë eliminohen paratë e pista dhe financimet e dyshimta që mund të përdoreshin nga serbët për të krijuar destabilitet në veri.

Po ashtu zgjedhjet në veri të Kosovës dhe ngjarja e rëndë në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici kosovar shënuan një transformim të madh të situatës mes dy vendeve.

Si fillim, tema e zgjedhjeve ka qenë edhe më e përfolura pas lajmeve të prodhuara nga kancelaritë e mëdha ku në qendër u vendos Kosova, për shkak të tensioneve që u shkaktuan vitin e kaluar në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të gjithë shqiptarë u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Por teksa Kurti të vetmen gjë që bëri ishte zbatimi i Kushtetutës dhe çdo veprim u bë në përputhje të ligjit, strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale, të udhëhequra në prapaskenë nga Beogradi, sulmuan policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.

Në fund Serbia mori goditjen e madhe, pasi pas sulmit që ndodhi në veri të Kosovës në shtator të vitit 2023 ku ndodhi edhe vrasja e policit kosovar nga grupi terrorist serb, për herë të parë Prishtina mori gjithë kontrollin e Veriut. Pas ngjarjeve në Banjskë, autoritetet e Prishtinës e shpallën të gjithë veriun e Kosovës zonë potenciale terroriste dhe KFOR me deklarimet e SHBA e NATO qëndron në prapavijë si mbrojtëse e Kosovës, por rol parësor ka policia e Kosovës.

Një tjetër goditje që Albin Kurti i dha Serbisë dhe Edi Ramës me ndihmën e ndërkombëtare ishte dhe shkatërrimi i “Ballkanit të Hapur”. Projekti i kundërshtuar prej tij me forcë në fund u shpërbë.

 

Advertisement