Kosova
Kurti humb miq dhe krijon armiq/ Muhaxhiri për mungesën e kryeministrit në Tiranë
Sociologu dhe analisti politik Artan Muhaxhiri, konsideron se mungesa e Kosovës në takimin e organizuar në Tiranë nga kryeministri Edi Rama, krijon një precedent të rrezikshëm, pasi që siç potencon ai, në kontekstin rajonal të konferencave ndërkombëtare e barazon Shqipërinë me Serbinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën e kushtëzuar prej Republikës Serbe, si vend ku Kosova nuk mund të jetë e pranishme.
“Është absolutisht e papranueshme që personalizimi naiv i problemeve të shpifura dhe personale mes Kryeministrave Kurti dhe Rama, të projektohen negativisht në rolin e Kosovës përbrenda Procesit të Berlinit.” – deklaroi Muhaxhiri qe tha gjithashtu se me këtë sjellje të Kurtit shumëfishohen pengesat të cilat edhe tashmë janë të mëdha. Ndërkaq, ai edhe theksoi se mungesa e Kosovës në këto takime thellon izolimin faktik dhe simbolik.
“Çdo mungesë e Kosovës në takime të tilla e dëmton perspektivën europiane dhe e thellon izolimin faktik dhe simbolik, duke e fuqizuar imazhin e një qeverie kryeneçe e cila vazhdimisht humb miq dhe krijon armiq”, deklaroi sociologu dhe analisti politik Artan Muhaxhiri