Connect with us

Kosova

Kurti i vendos kushte ‘BIG FIVE’: Nuk ka normalizim pa siguri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vizitën e emisarëve evropianë e amerikanë që mbërrijnë të shtunën në Kosovë, duke u shprehur se nuk e di se çfarë do të ofrojë pesëshja diplomatike, por theksoi se nuk ka normalizim pa siguri.

“Çfarë do të ofrojnë e çfarë do të kërkojnë do ta marrim vesh, por unë mund të them që nuk mund të ketë normalizim pa siguri dhe siguria e Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin dhe shoqërinë. Për këtë ne punojmë ditë e natë, me krejt çka mundemi e dimë”, tha Kurti.

Sipas tij, është koha që të gjithë të kuptojnë se kush është Serbia dhe ta sanksionojnë atë.

“Në dhjetorin e kaluar kishim 16 barrikada në veri, me 26 dhe 29 maj të këtij viti patëm sulm mbi policinë, mbi ushtarët e KFOR-it dhe mbi gazetarët. Më 14 qershor patëm rrëmbimin e policëve në Leposavic, ndërkaq më 24 shtator patëm sulm terrorist në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Është jetike për Kosovën, për demokracinë edhe për rajonin e Ballkanit, që ata  që nuk e kanë ditur ose nuk e kanë kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar më në fund ta marrin vesh, sepse nuk është Kosova ajo që duhet të ketë masa shtrenguese por është Serbia ajo që duhet të ketë sanksione” – theksoi Kurti

Për dialogun, kryeministri tha se Kosova është konstruktive edhe në zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit, porse Serbia është fajtore për moszbatimin e saj.

“Përsa i përket dialogut në Bruksel, ne kemi arritur marrëveshje, por që përsëri Serbia nuk i ka zbatuar. Kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit si edhe aneksin e 18 marsit. Kemi qenë përherë konstruktiv, të përkushtuar e kreativ dhe kurrsesi nuk ka faj apo përgjegjësi në anën tonë se Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale.

Marrëveshja bazike nga 27 shkurti ka në qendër njohjen de facto reciproke, dhe sa më parë që zbatohet ajo, aq më shpejt do kemi jo vetëm normalizim demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tonë e rajonin” – deklaroi kryeministri I Kosoves.

Përfaqësuesi i posaçëm i bllokut për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëton më 21 tetor drejt Kosovës e Serbisë. Ata do takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

 

Advertisement