Kosova
Kurti ka instinkt politik, por veprimet e tij nacionaliste po dëmtojnë Kosovën

Profesori i njohur amerikan dhe eksperti i politikës ndërkombëtare, Charles Kupchan, ka vlerësuar se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është një politikan efikas me instinkt të mirë politik, por se veprimet e tij të fundit kanë cenuar përparimin e vendit në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
Kupchan tha se rikthimi i Kurtit në pushtet dhe qëndrueshmëria e tij politike janë dëshmi e aftësive të tij politike. Sidoqoftë, ai kritikoi qasjen e tij karshi temave si dialogu me Serbinë dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
“Fakti që ai ka qenë në pushtet për kaq kohë dhe ka rifituar zgjedhjet e 9 shkurtit, është shenjë e aftësive të tij politike, duke zgjatuar lojën nacionaliste” – deklaroi profesori amerikan
Sipas tij, qasja e Qeverisë Kurti në çështje si emërimi i kryetarëve në veri, çështja e targave, vendimi për ndërrimin e monedhës dhe mungesa e përparimit në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë kontribuar në perceptimin e Kosovës si një nga pengesat për dialogun me Serbinë.
“Deri më tani, shumica mendonin se Serbia është problemi. Por tani eshte krijuar ndjesia që edhe Kosova është pjesë e problemit” – theksoi Kupchan duke shtuar se pavarësisht se shume vendime te marra janë ligjore dhe në përputhje me sovranitetin e Kosovës, ato nuk përkthehen me të bërit një politikë të mençur në nivel rajonal e ndërkombëtar.

