Kosova
Kurti kërkon nga ambasadorët e QUINT-it largimin e masave të BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilët ka diskutuar për largimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
“Kryeministri theksoi dhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar së qeni qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës”, thuhet në një komunikatë dërguar mediave.
“Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr Kosova në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Kurti deklaroi se pret avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtejshem të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë” – thuhet ne njoftim
Kujtojme se edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kësaj jave është takuar me ambasdorët e QUINT-it, dhe si Kurti, ajo ka theksuar nevojën imediate të heqjes së masave të BE-së.
Kjo pasi sipas saj të njëjtat, “janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog, si dhe njëkohësisht theksoi se Kosova ka ndërmarr hapa konkret në përputhje me planin e dakorduar për këtë çështje”.