Kosova
Kurti me ofertë “pak a shumë” për Fatmir Limajn, paralajmëron (mos)marrëveshje në fundjavë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të hënën se në fund të kësaj jave pritet të ketë një epilog për negociatat me Nismën Socialdemokrate, duke shtuar se kjo javë do të sjellë një nga dy lajmet: marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj.
“Unë uroj dhe shpresoj, sepse punoj, që kjo të bëhet këtë javë. Ju kisha kërkuar pak durim sepse në fundjavë, ose do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur, ose lajmin se çfarë ndodhë pas 30 ditësh [pas skadimit të afatit kushtetues më 26 korrik]”.
Ai ka konfirmuar se i ka bërë “pak a shumë” një ofertë kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, por nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e saj. Megjithatë, ai ka shtuar se “elementet përbërëse” do të publikohen pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare.
“Lëvizja Vetëvendojse, unë si kryeministër në detyrë, si krytar i subjektit fitues të zgjedhjeve, kemi shprehur jo vetëm interesimin, por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën. Në përputhje me këtë, unë kam bërë pak a shumë një ofertë konkrete për Nismën që gjithcka të përmbyllet sa më shpejtë e sa më mirë”.
Kurti ka komentuar edhe “kohëzgjatjen e pazakontë” të mandatit të tij: “Nesër bëhen katër vjet e katër muaj që jam zgjedhur kryeministër i Republikës i Kosovës. As juve as mua nuk na ka marrë mendja që do të jem kaq gjatë. Mirëpo ja ku jemi këtu në verën e vitit 2025 dhe unë ndodhem në qerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë”.
Ndryshe, dy liderët janë takuar edhe gjatë fundjavës së kaluar në përpjekje për të gjetur një zgjidhje drejt kapërcimit të ngërçit të thellë institucional në Kosovë. Qëndrimi i Nismës është që Limaj të zgjidhet në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje të marrë drejtimin e Qeverisë së re të Kosovës nën Kurti 3.

