Kosova
Kurti: Me planin franko-gjerman ka njohje de facto
Kryeministri Albin Kurti u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës. Duke folur për planin franko-gjerman ai ka thënë se aty parashihet njohja de facto.
“Ky propozim parasheh normalizim të marrëdhënieve ndërkombëtare ku Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë njohin njëra tjetrën në formën defakto. Një gjë e tillë duket e qartë në tekstin e marrëveshjes por një gjë e tillë është premtuar edhe nga shtetet e emisarëve që e kanë propozuar marrëveshjen si dhe vet bashkimi Evropian”, tha ai, raporton Telegrafi.
Kurti thotë se marrëveshja i vendos Kosovën dhe Serbinë si dy identitete të barabarta.
“Serbia nuk do të mund ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.
I pari i qeverisë thotë se të gjitha këto janë parime fundamentale që shtetet e pavarura ua njohin njëra-tjetrës. Ai thotë se procesi i dialogut është në drejtimin e duhur për dallim nga e kaluara.
“Njohje dejure e Serbisë nuk është në mënyrë eksplicite e shkruar në marrëveshje, por është pjesë sekuenciale e planit që do të arrihet në ndërkohë”, deklaroi Kurti.
Kurti thotë se Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në bashkimin Evropian pa njohur Kosovën, e që sipas tij një gjë e tillë nuk ka qenë kusht më parë.