Kosova
‘Kurti me vetëdije të plotë po i shërben Gjykatës Speciale kundër Thaçit dhe Veselit’

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, me deklaratat e fundit të artikuluar me vetëdije të plotë, po i shërben Zyrës së Prokurorisë Speciale në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
“Albin Kurti, me vetëdije të plotë, ka vendosur sërish t’i shërbejë Prokurorisë në Hagë, kësaj radhe duke sulmuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Madje, ka pasur guximin të thotë se ne i vizitojmë për të marrë ‘instruksione’”, ka shkruar Çitaku në platformën sociale, Facebook.
Kurti në një intervistë tha se në PDK nuk dihet se kush është kryetar dhe potencoi se disa individë nga kjo parti vizitojnë Gjykatën Speciale për të marrë instruksione politike nga ish-udhëheqësit e kësaj partie.
E një gjë e tillë, sipas Çitakut nuk është as politikë, as rastësi, por është qëllim i pastër dhe vazhdimësi e një fushate të hershme që Kurti e ka ndërtuar mbi përbaltjen e të tjerëve, sidomos të atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
“Një njeri që nuk ka as edhe një mik të vetëm, nuk mund ta kuptojë se njerëzit mund të kenë marrëdhënie miqësore, njerëzore, jo vetëm kontrata dhe urdhra. Instruksione, Albin, jep ti, në partinë tënde që nuk e udhëheq, por e sundon. Në Vetëvendosje nuk ka as debat, as mendim ndryshe, ka vetëm një zë: tëndin” – ka theksuar Citaku

