Kosova
Kurti mund të kritikohet për shumëçka, por ai s’është nacionalist – më shumë është dogmatist
Florian Bieber, drejtor në Qendrën për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është nacionalist, por dogmatist, i cili është duke i shtyrë serbët e Kosovës në krahët e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për të shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin, përfshirë veriun e trazuar.
“Kurti dhe qeveria e tij mund të kritikohen për shumëçka, por nuk do të thosha se ai është nacionalist. Ai nuk dëshiron të spastrojë Kosovën nga serbët apo të dëbojë ndonjë serb nga Kosova. Ai është kokëfortë dhe ndjek një politikë të gabuar, duke i shtyrë serbët e Kosovës në krahët e Vuçiçit. Ai është një dogmatist” – ka konsideruar Bieber gjatë një podkasti të fundit.
Qeveria e Kosovës ka thënë se lëvizjet e fundit janë në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit në veriun e banuar me shumicë serbe. Megjithatë, ajo është kritikuar ashpër nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA), të cilët edhe i kanë cilësuar “të njëanshme e të pakoordinuara” veprimet e autoriteteve kosovare, që mund të tensionojnë situatën në veri.
Kujtojme se emisari Special i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar javën e kaluar në Prishtinë dhe Beograd për të përgatitur rrethin e ri të negociatave. Liderët e Kosovës dhe Serbisë vazhdimisht fajësojnë njëri-tjetrin për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve apo për dështimin dhe ngërçin e deritanishëm në kuadër të procesit.