Connect with us

Kosova

Kurti mund të paguajë një çmim të madh nëse vazhdon t’u mëshojë daulleve nacionaliste

Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ka theksuar se kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, mund të paguajë një çmim të madh nëse vazhdon t’u mëshojë daulleve nacionaliste.

Kupchan komentoi mesazhin e diplomatit amerikan, Richard Grenell, i cili javën e kaluar kritikoi ashpër lidershipin e deritanishëm të Kosovës, duke thënë se raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonin janë në gradën e fundit kryesisht për shkak të Kurtit.

“Kurti duhet të jetë më konstruktiv, ose mund të paguajë një çmim të madh… është e pakuptimtë dhe budallallëk që lidershipi kosovar të ndërmarrë hapa që i përkeqësojnë marrëdhëniet me Uashingtonin. Mesazhi që Grenell i dërgoi Kurtit është i duhuri, dhe mendoj se ka shumë gjasa që Kurti t’i kushtojë vëmendje”, deklaroi Kupchan.

Kupchan, megjithatë, shtoi se Kurti edhe mund të ndryshojë kursin e tij politik pas zgjedhjeve. “Së pari, ne jemi në një fazë paszgjedhore dhe ai mund të ndjejë se nuk ka më nevojë të luajë daullen nacionaliste në të njëjtën mënyrë. Dhe së dyti – duke supozuar se ai do të qëndrojë në pushtet – do t’i duhet një partner koalicioni”.

Ai vlerësoi në përgjithësi se retorika nacionaliste e Kurtit ndër vite mund ta ketë dëmtuar më shumë sesa e ka ndihmuar Kosovën. “Dhe ne e dimë që nacionalizmi në përgjithësi funksionin mirë, por për Kosovën – një vend i vogël, vend i cenueshëm – loja e tij me kartën nacionaliste mund t’i ketë sjellë më shumë dëm sesa dobi”.

Kosova ka gëzuar mbështetjen e secilës administratë amerikane, përgjatë dekadave, pavarësisht kush ka qenë banor i Shtëpisë së Bardhë. Por, marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit kanë përjetuar një valë sizmike tensionesh dhe mosmarrëveshjesh vitet e fundit, të cilat kanë filluar pas ardhjes së Kurtit në pushtet në Kosovë.

Advertisement