Kosova
‘Kurti nuk është i korruptuar, por është i paaftë për të qeverisur’
“Gjatë dy dekadave të fundit, ka pasur më shumë incidente brenda komuniteteve etnike sesa ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike. Kjo është gjendja aktuale psikologjike në veri të Kosovës. Megjithatë, qytetarët eatje nuk duhet t’i frikësohen Policisë së Kosovës, e më së paku nga qeveria e Albin Kurtit. Ata kanë arsye të jenë të pakënaqur me qeverinë që ai drejton, por jo të kenë frikë” – Kështu u shpreh për Demostat profesori Nexhmedin Spahiu, duke komentuar gjetjet e fokus grupeve të kesaj medie, sipas të cilave komuniteti serb në Kosovë nuk i beson as Prishtinës dhe as Listës Srpska.
Siç edhe deklaroi ai, “Albin Kurti nuk është kriminel. Nuk ka vrarë njeri dhe as ka urdhëruar ndonjë vrasje. Edhe kur ishte koha e luftës, ai nuk e kapi armën, jo se kishte frikë se mos e vrisnin, por se nuk mund të qëllonte askënd. Kurti nuk është politikan i korruptuar, por thjesht nuk është i aftë për të qeverisur. Kjo është arsyeja që serbët janë të pakënaqur me qeverinë e tij dhe së shpejti do të ketë pakënaqësi edhe te shqiptarët në Kosovë. Por ai nuk është i prirur të diskriminojë serbët, apo dikë tjetër”.
“E vetmja frikë e vërtetë është nëse lidershipi politik në Beograd do të planifikonte të dërgonte ushtrinë në Kosovë, gjë që do të ishte katastrofike jo për Kosovën, por edhe për Beogradin. Shpresoj që arsyeja të mbizotërojë dhe të mos arrihet deri këtu” – Theksoi Spahiu.
Sipas anketës së Demostat, serbët e veriut, krahas frikës shumë të theksuar kanë edhe mosbesim. Shkalla e lartë e mosbesimit lidhet kryesisht me institucionet e Prishtinës, në masën më të madhe me qeverinë e udhëhequr Kurti. Ekziston edhe një nivel i lartë i mosbesimit në Shërbimin Policor të Kosovës. Sipas të dhënave të nxjerra nga anketimi, mes serbëve ka rënë besimi edhe te Beogradi zyrtar, një erosion besimi që u thellua sidomos pas ngjarjeve në Banjskë të Zveçanti më 24 shtator.