Kosova
Kurti përsërit mësimin e kaluar

Teksa angazhimi i SHBA dhe BE për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi është në zenitin e vet, dhe ndërsa në tavolinën e dialogut pret të bëhet jeshila ngjyra e dosjes së propozimit franko-gjerman, Kryeministri Albin Kurti flet për mësimin e kaluar dhe nuk prek asnjë rresht nga Kapitulli i Ri.
Gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, kryeministri mbajti leksione për ‘autokracinë ku po rrëshqet Serbia’ dhe ‘raportet e ngrohta të me Rusinë’.
Duke i qarë hallin kalorësit se i varen këmbët, merret me yzengjitë e Beogradit…
“Serbia do ti ketë të gjitha, edhe armë ruse, edhe investime kineze, edhe fonde europiane, por edhe tolerancë amerikane” – tha Kurti
Pastaj duke zgjeruar rrafshin e leksionit politik, Kryeministri njohu të pranishmit me sinjalet që tregojnë se Serbia, mes demokracisë dhe autokracisë, ka zgjedhur këtë të fundit.
“Po të ishte Serbia demokraci e vërtetë, e jo një shtet me një parti, ku opozita nuk ka kurrfarë gjase që të fitojë, nuk do të ishte një kërcënim kaq i madh ndaj paqes afatgjatë në rajonin tonë” – u shpreh Albin Kurti

