Shkrime
Kurti sfidon SHBA-BE, ‘kurthi’ në OKB e ‘kalifati’ i tij në Kosovë
Nga Jakin Marena
Bën çbën Albin Kurti dhe arrin ta tensionojë situatën në Kosovë dhe të ngrejë në një tjetër nivel përplasjen me aleatët tanë të mëdhenj, SHBA-të, Britaninë dhe BE-në.
Dhe në momentet kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç bën sikur ‘harron’ ato pehlivanllëqet e tij as ‘mish as peshk’ apo dhe përpjekjet për armatim të Serbisë, për të mbajtur ndezur tensionin në këtë cep të Ballkanit, është pikërisht Albin Kurti ai që i vjen për ‘osh’. Dhe se ku Zotin e gjen mundësinë për të shpikur një konflikt të ri, vetëm që situata mes dy vendeve të shihet si e nderë, vetëm Albini e di.
Nuk kemi asnjë dilemë në lidhje me Vuçiç, i cili dihet botërisht se s’ia do të mirën as Kosovës, as Ballkanit, ndërsa po ‘flirton’ rëndë me Moskën në kurriz të partneritetit me SHBA, Britaninë dhe BE-në. Madje dhe nxit e sponsorizon sulme terroriste në Kosovë. Është me plot kuptimin e fjalës një armik i shqiptarëve në Kosovë, Ballkan dhe më gjërë dhe këtë e pranon dhe vetë. Madje as nuk e fsheh por mburret, dhe kjo dihet nga të gjithë, është evidentuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe është goditur prej tyre. Dhe këtu Albin Kurti ka gjithë të drejtën e zotit në akuzat e tij ndaj presidentit serb.
Askush nuk ia fal masakrën në Banjskë vitin e kaluar, e cila për hir të së vërtetës është dënuar nga SHBA, Britania por dhe nga BE, ndonëse kjo e fundit nuk ka këmbëngulur fort për të kaluar në veprime konkrete dhe për të marrë masa ndëshkuese ndaj Beogradit, siç bëri me Kosovën.
Do të thotë dikush se ka tolerancë ndaj Serbisë. E vërtetë është por duhen parë pak dhe arsyet se pse bëhet kjo skemë ‘liro dhe shtrëngo’ me Beogradin nga ana e partnerëve tanë. Duhet që të gjithë të jenë koshientë se një hyrje zyrtare e Moskës në Serbi dhe për pasojë në Ballkan është një tragjedie cila mund të jetë në çdo moment burim konflikti në rajon, duke e zhvendosur vëmendjen nga agresioni rus në Ukraninë për në thellësi të Evropës. Pra dhe Kosova preket!
Mbi të gjitha, Serbia nuk jeton me ‘miellin’ e SHBA dhe të BE, por e ka mundësinë tribale që të kërkojë dhe nga Moska, gjë që po përpiqen me të gjitha mënyrat aleatët tanë ta evitojnë, për ta tërhequr drejt unionit evropian, NATO-s dhe strukturave të tjera euroatlantike, në mënyrë që të mos ketë varësi nga Rusia. Këtë po bëjnë aleatët tanë.
Ndryshe është Kosova. Një shtet i ri shqiptar në mes të Evropës, fryt i një beteje ajrore të NATO-s të kryesuar nga SHBA në vitin 1999 në mbrojtje të të drejtave të njeriut në këtë territor, atëherë pjesë e Serbisë, bllokimin e genocidit serb në Kosovë dhe çlirimin e saj nga shtypja e makinerisë së rëndë serbe, që përmes operacionit “patkoi’ vrau mijëra shqiptarë pa dallim moshe e gjinie dhe deportoi për në Shqipëri dhe vendet e rajonit gati një milionë shqiptarë të tjerë të Kosovës.
Pra Kosova u çlirua nga aleatët tanë, në të vetmen luftë në Evropë pas luftës së dytë botërore, shpalli pavarësinë se deshën aleatët tanë dhe u bë shtet thjeshtë dhe vetëm me mbështetjen e SHBA, BE dhe Britanisë. Pra Kosova është shtet falë aleatëve tanë.
Dhe aleatët, SHBA, BE dhe Britani i ngritën me radhë të gjitha institucionet e reja, që nga gjyqësori e deri tek marrëdhëniet e punësimit, duke vijuar të qëndrojë dhe sot e kësaj dite në mbështetje të Kosovës. Madje përmes trupave të KFOR që shtohen dita ditës për shkak të tensionit të rritur me Serbinë, mbron dhe kufijtë e Kosovës. Pra tërësinë territoriale të saj.
Aleatët nuk ndërmarrin vendime në dëm të Kosovës, sikurse pretendojnë ‘sovranistët’ e rrjeteve sociale që tashmë kanë mbërritur deri në kupolën e shtetit më të ri në Evropë, pasi dalin kundër vetes. E themi këtë sepse SHBA, BE e Britania kanë investuar miliarda dollarë për çlirimin dhe ngritjen e shtetit të Kosovës. Po shpenzojnë milarda për ta mbajtur në këmbë shtetin e Kosovës, ndërkohë që politika shqiptare në Kosovë po përpiqet me të gjitha mënyrat, dashje apo padashje për ta zhbërë këtë arritje, duke i futur ‘shkopinjtë nën rrota’ këtij bashkëpunimi të arritur me mund dhe djersë ndër vite.
Prandaj themi se Kosova nuk mbahet me ‘miellin’ e vet, dhe në ndryshim nga Serbia të vetmit aleatë ku mund të përplaset në një ditë të keqe ka SHBA, BE, Britaninë, NATO-n dhe kuptohet dhe Shqipërinë jo vetëm se është pjesë apo kandidat për t’u anëtarësir në këto organizma, por dhe pse jemi vëllezër të një gjaku.
Prandaj në planin e përgjithshëm mbetet i pakuptueshëm qëndrimi i klasës qeverisëse të Kosovës që ‘gërmon’ dhe në detajin më të vogël për të kryer një lëvizje që bie ndesh me sygjerimet e aleatëve tanë, dhe ngre tensionet e amplifikon konfliktin me Serbinë.
Ne jemi të interesuar të shohim nga pjesa jonë, çfarë bëjmë ne dhe nuk na interesion fare çfarë bën Serbia, më kë ‘flirton’ ajo. Kjo pjesë na shërben vetëm për të konsoliduar marrëdhëniet tona me aleatët, për të thënë që ne jemi ndryshe, s’duam konflikt, dhe për t’ia lënë pjesën e autorësisë së politikës konfliktuese mes dy vendeve dhe më gjërë në rajon, pikërisht Beogradit. Pra për ta vënë atë në ‘tabelën e qitjes’ së aleatëve.
Por mjerisht strategjia e Albin Kurtit vijon të mbetet ajo e ‘zëvendësimit’ si me grafik të Serbisë në vendin e caktuar si ‘tabelë qitjeje’ nga aleatët, evidentimi i vendit që krijon tensione e konflikte. Kurti e bën këtë pa ia kërkuar askush nga aleatët, të cilët sygjerojnë tjetër gjë që e përmbledhur me pak fjalë thotë: Vepro me maturi, në konsultim me aleatët e sipas parametrave që kërkohen. Me Serbinë merren aleatët pastaj, për ta trajtuar si vendin që po kërkon konflikt dhe tensione me Kosovën.
Po ku të lë Albini të mendosh ndryshe. Në funksion të refuzimit të nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, është palë me Vuçiçin në këtë rast pasi presidenti serb e ka deklaruar se nuk e firmos pasi nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur, pra Albini e ka gjetur një ‘vrimë’ për të bërë protagonizmin e pakërkuar nga askush. Vetëm nga halli i tij politik.
Tashmë ka gjetur vendimin për nxjerrjen e dinarit serb nga qarkullimi në Kosovë, anipse për këtë nuk ka bërë asnjë bisedim jo vetëm me palën e interesuar Serbinë në kuadër të dialogut, por as me aleatët tanë të mëdhenj SHBA, BE e Britaninë. Madje as i ka njoftuar. Ndonëse vepron sipas Kushtetutës së Kosovë, thjeshtë Kurti duhej të konsultohej. Pra të shmangte tensionet. Albini direkt përmes Bankës Qëndrore mori vendimin për bllokimin e dinarit serb, nisi aksionin për të kapur të gjitha sasitë e parave serbe që qarkullonin në Kosovë. Pa i lajmëruar fare aleatët tanë.
Nuk hyjmë në marrëveshjet që janë bërë mes dy vendeve për çështjen e dinarit serb, as për faktin se një vendim i tillë është në favor të forcimit të sovranitetit të Kosovës e konform Kushtetutës. Qeveria e Kosovës ka të drejtë të ndërmarrë veprime që ruajnë sovranitetin e shtetit. Por reagimi i SHBA, BE e Britanisë për këtë aksion të qeverisë së Kosovës për zhdukjen nga qarkullimi të dinarit serb, të cilët e quajtën një veprim të nxituar, të pakonsultuar dhe që rrit tensionet, na bën të mendojmë se është një vendim i gabuar. Madje me kosto për Kosovën.
E themi këtë pasi në deklaratën e fortë të lëshuar nga Jeffrey Hovenier, ambasador i Shteteteve të Bashkuara në Kosovë, qeveria amerikane shprehu shqetësim të thellë për veprimet e fundit të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës lidhur me ndalimin e valutës serbe në komunat veriore. Këto veprime, thuhet në reagim, kanë “një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.”
Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me operacionet e fundit të kryera nga Policia e Kosovës, nën direktivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, “për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia”, i destinuar për shpërndarjen e pagesave të përfitimeve sociale nga Serbia. Hovenier theksoi rëndësinë e sigurimit që këto pagesa të mbërrijnë të personat e destinuar “pa vonesë”. Duke nënvizuar shtyrjen e vendimit të Bankës Qëndrore dhe duke kërkuar që gjithçka të zgjidhet në kuadër të dialogut nën mbikqyerjen e BE. Pra nuk kërkon anulimin por shtyrjen në kohë të heqjes nga qarkullimi në Kosovë të dinarit serb.
Ndërkohë që pas takimit me kryeministrin Kurti për këtë qëllim, i pyetur nëse Qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”. Tronditëse fraza e fundit për Kosovën. Në të njejtën gjatësi vale ka reaguar dhe BE. Ndërkohë që qeveria e Kosovës deklarohet se po zbaton Kushtetutën e vendit, vendimin e BQ, anipse ky vendim ka 16 vite që ka dalë.
Kemi dhe lajme të tjera. Bllokimin e pikave të kalimit kufitar nga ana e serbëve dhe bllokimin e jetës ekonomike në vend, izolimin e saj në kufirin verior, si dhe sulme ndaj shqiptarëve anekënd Serbisë. Pra shqetësimi amerikan dhe i BE paska qënë i drejtë, parashikimi i tyre ndodhi, ndaj i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës, që të heqë dorë nga vendime e njënashme.
Por Albini përplasjen me aleatët e ngriti një ‘oktavë’ më lart, deri në Këshillin e Sigurimit të OKB. Pra bëri të pabërën, për herë të parë pas 25 vitesh e riktheu në mënyrën më të panevojshme çështjen e Kosovës në OKB, anipse konfliktet me Serbinë janë të atij kalibri që mund të zgjidhen me dialog dypalësh mes dy vendeve, nën mbikqyerjen e BE dhe me mbështetjen e SHBA. Dhe për këtë ka marrëveshjen e Ohrit, planin Franko-Gjerman në tryezë.
“Ishte një seancë pa kuptim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve…”, do të deklaronte menjëherë kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili gjithsesi nënvizoi se ‘ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë”.
Pavarësisht fjalimit të mirë të Kurtit në Këshillin e Sigurimit të OKB, akuzave që u bëri Vuçiçit për mbështetjen e terroristëve serbë për të krijuar probleme në Kosovë, dënimin e genocidit serb në Kosovë dhe Srebrenicë, mund ta quajmë dhe një fjalim brilant të Kurtit për t’u bërë qejfin ‘patriotëve’ të rrjeteve sociale, ajo që vlen të theksohet është se ishte një fjalim jo në vendin e duhur, pasi Kosova e ka mbyllur kapitullin me Këshillin e Sigurimit të OKB, është shtet më vete, i njohur nga shumica e vendeve anëtare të OKB. Pra Kurti ra me dashje apo pa dashje në ‘kurthin e Vuçiçit.
Rikthimi i kësaj çështjeje nga Vuçiç në OKB, dhe mbajtja e ‘isos’ nga ana e Kurtit, që e hëngri ‘karremin’, duke u përballur me të në Këshillin e Sigurimit, bëri që të dëgjoheshin dhe deklarata të tilla, se duhej të rikthehet ushtria serbe në veri e të tjera si kjo. Apo solidarizimin e Rusisë me Serbinë. Me të drejtë vendet aleate kërkuan që Kosova të shtyjë vendimin për dinarin, dhe bashkë me Serbinë t’i rikthehen dialogut dhe nënshkrimit të marrëveshjeve. Madje Gjermania propozoi një plan për heqjen e dinarit nga qarkullimi, duke lënë një afat tranzitor prej 4 muajsh.
Po pse po reagon në këtë mënyrë Kurti, dhe çfarë e shtyn të bëjë të tilla veprime pa u konsultuar me aleatët dhe në kundërshtim me sygjerimet e tyre përsa i përket sekuestrimit të dinarit serb në Kosovë, pa asnjë konsultim me SHBA, BE e Britaninë?! Dhe pse tani, kur kishte njëfarë përmirësimi të marrëdhënieve të qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
Albin Kurti si gjithnjë vepron përmes strategjisë së faktit të kryer, duke kryer veprime të pakonsultuara me aleatët, dhe pastaj duke hyrë në bisedime për të përfituar aq sa mundet politikisht në kurriz të këtyre veprimeve. Bën si i fortë me një fjalë që nuk pyet për aleatët dhe mbështetësit kryesorë që po e mbajnë Kosovën në këmbë si shtet.
Me mendjen e tij, Kurti thotë se sanksionet nuk i bënë gjë Kosovës, nuk e ‘përkulën’ atë. Anipse vetëm në janar, sapo startoi Kosova pa viza me BE, u larguan nga vendi mbi 150 mijë shqiptarë të Kosovës, në lule të moshës. Anipse për hir të së vërtetës askush s’ka vdekur për bukë tashmë në Evropë, dhe Kurti nuk ka pse mburret se ka siguruar bukën e gojës, pasi ka një sërë hyrjesh së parave në Kosovë, që nga paratë e emigrantëve e deri tek paratë ruse përmes mallrave të tyre apo nga vende arabike, për të cilat zemra e Albinit ‘rreh fort’. Për këto të fundit mund të mburret vetë Kurti.
Albin Kurti kërkon që të përcjellë tek qytetarët e Kosovës idenë se ai është udhëheqësi adapt i tyre që nuk pyet as për Serbinë, as për Evropin dhe as për Uashingtonin, për të krijuar sërish idenë e rrejshme se po lufton për vendosjen e plotë të sovranitetit të Kosovës, pa mbështetjen dhe i distancuar nga SHBA, BE e Britania. Pra po punon fort që çdo gjë në Kosovë të flasë sipas tij ‘shqip”. Anipse e ka futur Kosovën në një izolim të plotë ndërkombëtar, dhe vetëm vendet e interesuara për destabilitetin e Ballkanit janë në një mendje me këto veprime të Kurtit.
Tërë kjo lojë bëhet për përfitime politike, për t’i përkthyer në vota në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, qoftë të parakohëshme qoftë të zhvilluara në kohën dhe momentin e caktuar kushtetues. Për të treguar se Kurti është ‘baba’ jo vetëm i Kosovës por dhe i shqiptarëve në përgjithësi.
E provoi në Kosovë dhe me sa duket po ia arrin ta marrë protagonizmin e theksuar. Dhe për Enver Hoxhën në Shqipëri për 45 vite menduan të gjithë njëlloj se ishte ‘baba’ i këtij vendi, thirrnin vetëm emrin e tij, i atribuonin sovranitetin dhe ‘mirëqenien’ e vendit, i thurnin këngë jo vetëm në Shqipëri por dhe nga ‘internacionalistët proletarë’ në glob dhe na zhyti në izolim e në mjerim të thellë, aq sa për 5 vite nga vdekja, e harruan dhe e përmbysën regjimin e tij.
Kurti e provoi dhe në Shqipëri, por nuk mori asnjë mbështetje me partinë e tij Vetëvendosja në zgjedhje si subjekt politik, po e provon në Maqedoninë e Veriut dhe me shumë gjasa, as aty nuk po shndrit asgjë, pasi lëvizjet e fundit po ia presin rrugën e bashkimit të Talaverit me kreun nacionalist të opozitës Mickovski.
E vetmja gjë që i mbetet në dorë është Kosova. Izolimi i saj nën pretekstin e sovranizmit, teksa ka përballë një opozitë të lodhur e pa fuqi, mund t’i sjellë më shumë vota, aq sa për të qeverisur dhe një mandat tjetër, por Kosovën e izolon thellë, e vë përballë ndërkombëtarëve të cilët tashmë po e evidentojnë Kosovën si një shtet që krijon tensione në rajon, dhe për pasojë Kurti pritet të qeverisë një shtet të izoluar pa asnjë përkrahje nga aleatët tanë, por një shtet që është ‘kafshatë’ të mundshme për vendet që nuk ia duan të mirën shqiptarëve dhe shtetit më të ri të Evropës, duke e shtyrë atë drejt greminës, nëse aleatët vendosin të ndryshojnë qasjen për shkak të kundërshtive të Kurtit.
Pra, Kurti po ndërton një si biçim ‘kalifati’ të tij në mes të Ballkanit, pa ndonjë lidhje me Perëndimin, por duke lënë hapur rrugët për bashkëpunime dhe me forcat e së keqes deri tek ‘bijtë e allahut’. Që vërtetë kanë dhe hedhin shumë para, por ama, marrin shumë më shumë në këmbim të tyre, në ditën më të keqe që mund të jetë Kosova.
Mbetet për t’u parë se si do veprojnë aleatët tanë, do të qëndrojnë fort në mbrojtje të Kosovës, ‘krijesës’ së tyre që në krye të herës, duke marrë dhe veprime drastike që shpëtojnë shqiptarët dhe vetë shtetin, apo do të mërzitën nga mistrecllëqet e Albinit dhe do ta lënë në mëshirë të fatit Kosovën. Mbijetesa e së cilës pa mbështetjen e SHBA, BE dhe Britanisë, mund të llogaritet me muaj jo me vite. Dhe me Albin Kurtin ‘hero’ brenda saj.
Lutemi që Zoti i mishëruar tek SHBA-BE dhe këtë radhë të jetë me fytyrë nga shqiptarët e Kosovës si në vitin 1999 kur i shpëtoi nga genocidi serb, i çliroi e i bëri me shtet. Përndryshe ditë të zymta e presin Kosovën e izoluar dhe të ekspozuar përballë ‘hijenave’ anti-shqiptare që mezi presin, madje kanë punuar fort për këtë qëllim, që partnerët tanë ta lënë në ‘rënie të lirë’ e në mëshirë të fatit, për ta ‘shqyer’ në kohën dhe momentin më të parë që t’ju jepet rasti.
Shqiptarët e Kosovës duhet ta mendojnë këtë, përderisa Albini nuk e mendon fare. Ai mendon vetëm për pushtetin e tij. Ndërkohë që partnerët kanë paralajmëruar se situata është tepër e rëndë dhe gati në shpërthim konflikti, ndërsa Kurti bën ‘harakiri’ me mbështetjen ndërkombëtare për të ndërtuar ‘oazin’ e tij të pushtetit.