Connect with us

Kosova

Kurti sfidon SHBA, rrezikon ushtarët amerikanë/ Deklarata e fortë e Hovenier

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Ai theksoi se Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh shqetësimet. Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullimin e automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe.

Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.

Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi autoritetet e Kosovës më 5 gusht mbyllën zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.

Hovenier theksoi se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte dhe shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëluan entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

“Kërkesa jonë drejtuar Qeverisë është: ju lutemi, mos e ndërmerrni veprimin e hapjes së urës tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diçka e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani”- deklaroi ambasadori amerikan duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara që në këtë çast ushtarët amerikanë të përballen me rrezik shtesë për këtë çështje.

I pyetur që nëse Albin Kurti nuk i merr parasysh kërkesat, si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara, Jeffrey Hovenier theksoi: Nuk hyj në çështje hipotetike. Kosova thotë se është partnere dhe mike jona. Kosova na thotë se është vendi më proamerikan në botë, prandaj, do të shpresoja që vendi më proamerikan në botë t’i dëgjojë kërkesat specifike të Qeverisë amerikane për të mos vënë në rrezik ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse mund të konsiderohet partner ende Albin Kurti, Hovenier potencoi: Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra.

 

Advertisement