Connect with us

Aktualitet

Kurti ‘shet’ Asociacionin, njëjtë si ‘shiti’ Manastirin e Deçanit

Albin Kurti, që nga koha kur është bërë kryeministër, pothuajse të gjitha qëndrimet e tij që ka pasur si opozitar i ka ndryshuar – madje pa u arsyetuar fare – derisa një gjë të tillë njohësit e zhvillimeve politike po e konsiderojnë si “abuzim” me parimet dhe normat demokratike, por edhe paralajmërojnë se saga e ndryshim qëndrimeve dhe mosarsyetimeve nga ana e Kurtit do të vazhdojë – përfshirë atë për Asociacionin – pasi që konsiderojnë se ai ka “vetëm interes për të qëndruar në pushtet”.

Për Afrim Kasollin, analist politik, të gjitha ndryshimet që Kurti ka bërë ndër vite “i konsideron se janë në funksion të pasurimit të mjeteve shtesë ndaj qëllimeve unike të Lëvizjes Vetëvendosje”. “Kjo mënyrë arsyetimi është vetëm një mbulesë ideologjike për të maskuar oportunizmin politik të kryeministrit dhe tentimin për të ruajtur në opinion imazhin se është i vetmi lider që nuk bënë kompromise dhe i qëndron besnik parimeve të tij edhe kur i braktis” – ka thënë Kasolli.

Ndërsa, sipas njohësit të zhvillimeve politike, Anton Berisha, ndryshimet e qëndrimeve të Kurtit nuk paraqesin ndonjë risi. “Ata që e njohin historinë politike, e dinë se manipulantët abuzojnë me parimet dhe normat demokratike, që përmes mashtrimeve të vijnë në pushtet, e pastaj qeverisin me fytyrën e vërtet të tyre e që është vetëm ambicia dhe interesi personal” – tha anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Po a mund ta përdor Albin Kurti të njëjtën metodë edhe për zbatimin e Asociacionit?

Sipas dy të intervistuarve, kjo është jo vetëm e mundur por gati e sigurt. Ish-bashkëpartiaku i Kurtit potencoi se tashmë skenari ekziston, vetëm pritet vazhdimi i të njëjtës dramë. “Të gjithëve na kujtohet mënyra se si në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, e arsyetonte draft-statutin për Asociacionin, të propozuar nga BE-ja si diçka që më në fund ndërpret trashëgiminë mos-njohëse të Serbisë mbi Kosovën.

Mirëpo, duke qenë se i njëjti u diskreditua në publik për shkak të përmbajtjes së asociacionit, Kurtit do t’i duhet tani një megaarsyetim tjetër, me qëllim që të krijohet përshtypja se interesi shtetëror, dobia dhe përftimi është më i madh se dëmi i brendshëm nga zbatimi i Asociacionit”, theksoi Kasolli. Nga ana tjetër, për Berishën, Kurti për çdo temë do të ketë “vetëm idealin e interesit dhe asgjë me shumë”.

Advertisement