Kosova
Kurti shmang ELEFANTIN në dhomë, lufta me shpata ndaj Perëndimit
Tentativa e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për të shmangur “elefantin në dhomë”, duke refuzuar te dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe deklarimi i tij se çështja e këtij mekanizmi nuk qenka e ndërlidhur me pranimin e Kosovës në KiE, nga ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ambasadorë po shihet si “manipulim me opinionin publik” dhe jep indikacione “për zgjedhje të parakohshme”.
Në këndvështrimin e Afrim Kasollit, pretendimet e Kurtit se procesi i anëtarësimit të Kosovës me Këshillin e Evropës me atë të zbatimit të themelimit të Asociacionit nuk kanë lidhje njëra tjetrën, “janë të paqëndrueshme”.
Sipas tij, Kurti duke mos e dërguar draftstatutin në Kushtetuese ka për qëllim që të krijojë përshtypjen se kjo është qeveria e vetme e cila “pa kompromise me Serbinë” ia del që të anëtarësojë shtetin në organizata ndërkombëtare.
Kasolli u shpreh gjithashtu se shihet qartë qe i pari i Qeverisë së Kosovës, ka vendosur që ta shndërrojë edhe këtë temë në agjendë të brendshme elektorale, duke e ekspozuar veten si lider që nuk bënë kompromise me demokracinë dhe se nuk pranon shantazhe nga Perëndimi.
“Prandaj, tani si vetmitar, ai do që të shndërrohet në mbrojtësin heroik të Kosovës. E tërë kjo dramë, nuk paraqet asgjë tjetër, përveçse transformimin e politikës së jashtme të shtetit, në një lojë të brendshme elektorale për përfitime momentale” – ka potencuar Kasolli.
Nga ana tjetër, diplomati dhe themeluesi i ambasadës së Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, tha se me dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese, Kurti do të humbiste kartën kryesore për fushatën e parakohshme elektorale.