Connect with us

Kosova

Kurti shpesh dogmatik, Rama provokues me Ballkanin e Hapur, eksperti skanon ‘sherrin’ kryeministror

Rivaliteti mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe homologut nga Shqipëria Edi Rama, sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare Dritan Hoti , bazohet në atë se kush do të jetë protagonisti kryesor i çështjes shqiptare brenda “botës shqiptare” dhe beson se mes tyre nuk ka dallime ideologjike që do të ishin të dëmshme për interesat e shqiptarëve në Ballkan.

“Rama kërkon harmonizim thuajse të plotë të qëndrimeve të faktorit shqiptar me qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa Kurti si kryeministër i shtetit të ri, qëndrimet e tij i mbështet në ato që i quan shqetësime akute ekzistenciale, përkatësisht identitetin e brendshëm politik dhe shqetësimet gjeopolitike, që sipas tij, duhet të mbizotërojnë ndaj fleksibilitetit që duhet të ketë Prishtina ndaj skemave të fuqive të mëdha për rajonin tonë” – keshtu u shpreh Hoti.

Rivaliteti mes Ramës dhe Kurtit, beson ai, ndonjëherë krijon një shije të keqe dhe përshtypjen se nuk ka qëndrim të përbashkët për çështje me rëndësi kapitale për shqiptarët.

“Kjo na kujton mosmarrëveshjet e dikurshme historike mes eksponentëve të ndryshëm të elitës politike shqiptare, te cilet megjithatë, kaluan lehtë nga konflikti në konsensus përmes asambleve kombëtare” – theksoi njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare

Ai gjithashtu vlerësoi se pikëpamjet shpeshherë dogmatike të Albin Kurtit krijojnë nervozizëm dhe shije të keqe te amerikanët, gjë që e zvogëlon avantazhin e Kosovës në marrëdhëniet rajonale.

“SHBA-ja ka një politikë afatgjatë dhe dëshiron ta tërheqë gradualisht Serbinë në kampin euroatlantik dhe po tregon durim në këtë proces. Unë shoh që Kurti nuk po jep mesazhin e duhur për çështje shumë të rëndësishme dhe mendoj se Rama te vetmin gabim qe beri ishte me provokimin me Ballkanin e Hapur,

kur me arrogancë kërkoi që Kosova të ishte pjesë e asaj nisme, të cilën ai e quajti të rëndësishme për paqen në Ballkanin Perëndimor.

Paqja në rajon do të varet nga disa faktorë të tjerë, si p.sh zhvillimi i luftës Rusi-Ukrainë, e cila ka një ndikim të drejtpërdrejtë në Evropën Juglindore për shkak të elementeve etnike dhe fetare. Paqja varet nga ndryshimi që duhet të ndodhë në vendet tona. Elitat serbe duhet të kalojnë një proces de-ideologjizimi kurse shqiptarët duhet të kalojnë në një proces pragmatizmi dhe fleksibiliteti, sepse duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund të kemi kërkesa dhe arritje maksimaliste në çështjen tonë kombëtare” –  theksoi Hoti.

Advertisement