Shkrime
Kurti s’lëviz, çfarë do të vendoset në Washington dhe Bruksel?
Emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak nuk morën përgjigje pozitive nga Albin Kurti për tri kërkesat që ata patën për shtensionimin e situatës në very të Kosovës, në një takim të para një jave që zgjati mbi dy orë. Kryeministri Kurti, ndërkaq, ka paraqitur kërkesat e veta. Pasi mbeti i pakënaqur me rezultatet e takimit, i dërguari i SHBA-së tha se ai do të raportojë në Shtëpinë e Bardhë ku dhe do vendoset se si do të veprojë më tej Washingoni. Edhe i dërguari i BE-së tha se do t’i njoftojë vendet anëtare mbi rezultatet nga vizitat në Prishtinë e Beograd dhe për “hapat e ardhshëm”.
Kryeministri Albin Kurti nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij për situatën në veri të vendit, për shkak të të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë paralajmëruar se ai personalisht dhe Kosova do kenë pasoja, kurse nga ana tjeter kryeministri tha të dielën në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LVV se s’do të lëshojë pe përballë asaj që ai e quajti “përpjekje për të shembur sistemin institucional”.
Aty Albin Kurti përsëriti kërkesat e tij për shtensionimin e situatës në veri, të cilat ditët e fundit i ka përmendur disa herë. Zgjedhjet e reja në katër komunat veriore i pranon, por thotë se “deri atëherë kryetarët e ligjshëm do të ushtrojnë funksionin e tyre pa pengesa”. Serbët “duhet të dalin në zgjedhje dhe jo t’i bojkotojnë”, thotë kryeministri, duke theksuar se ato duhet të jenë fer dhe demokratike, e të mos ketë kërcënime.
Para një jave, të dërguarit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak u takuan me kryeministrin Kurti në Prishtinë në një mision dyditor, siç e quajtën vetë ata.
Nga shefi i Qeverisë kosovare, diplomatët perëndimorë kërkuan tri gjëra: qetësimin e situatës në veri (që nënkupton edhe tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale për të punuar në zyra alternative), mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialog.
Ditën pasuese, Kurti tha se “nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi” dhe se ka ofruar një “mënyrë të sigurt se si të ketë një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri”.
Escobar tha të dielën në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Europës Juglindore në Beograd se është ftuar të raportojë në Shtëpinë e Bardhë për këtë çështje dhe se pritet të vendoset se si do të veprojë më tej Washingoni.
Edhe Lajçak njoftoi gjithashtu se do informojë vendet anëtare mbi rezultatet e “misionit” dhe “hapat e ardhshëm”.
Diplomati europian shkroi të dielën në Facebook se ai dhe Escobar kishin shpresuar për më shumë rezultat gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd dhe theksoi se “pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta”.
SHBA-ja dhe BE-ja e shohin përgjegjës Albin Kurtin për tensionimin e situatës në katër komunat veriore. Për këtë çështje u tha se Kryeministri s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, Forca e Sigurise se Kosoves para tri javësh u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i “Defender Europe ’23”.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, katër ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.