Kosova
Kurti-Targat/ Nga thëmbrat, majat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për shtyp shpalosi një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, plan I cili do të zbatohet në disa faza dhe që parasheh se nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.
Sipas Kurtit, nuk bëhet fjalë për shtyrje afati por sekuencim dhe shkallzim të ligjit të qeverisë për targat
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, për ata që nuk i kanë konvertuar target, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill, nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës” – tha Kurti
Afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia skadon më 31 tetor dhe Kryeministri u shpreh se me këtë vendim të ri Qeveria po tregon seriozitet për të zbatuar vendimin që ka marrë, por “në të njëjtën kohë, tju jap shans atyre që janë të interesuar të integrohen”.
Më herët, të dërguarit e Presidentit francez, kancelarit gjerman, vendet e Quintit dhe emisari amerikan Escobar, i kishin kërkuar autoriteteve në Kosovë shtyrjen e afatit. Kurti deri tani ishte treguar ekuivok në përgjigje kurse Presidentja Osmani, e prerë ishte përgjigjur me një ‘Jo’ të thatë. Sido që ta ketë emrin, shtyrja apo jo, fakt është se majat u kthyen nga thëmbrat, dhe dueti Kurti-Osmani, me hir apo pahir, bënë hapa pas