Kronike
Kurti: Trazirat, projekt i Vuçiç
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, për destabilizmin e situatës në veri të vendit. Kjo, sipas Kurtit, po ndodh për shkak se Vuçiç ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe kështu po i përdorë, siç tha ai, pjesëtarët e strukturave ilegale në veri, për destabilizim.
Kurti tha gjithashtu se Presidenti serb po koordinohet me Rusinë dhe Kinën, dhe po zhgënjen Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsesi ai u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, pasi “bojkotet nuk janë zgjidhje” dhe “institucionet nuk kanë alternativë”.
I pyetur për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkesë edhe e partnerëve ndërkombëtarë, Kurti u përgjigj pa dhënë përgjigje. Ai tha se ka nëntë vjet që përgjigjet për këtë çështje dhe se nuk ka përgjigje të re “për pyetje të vjetër”.
Gjatë konferences për shtyp, Albin Kurti u pyet edhe nëse për veprimet e tij ka mbështetjen e SHBA.
Ai tha se “Ne i kemi njoftuar paraprakisht aleatët”, por nuk ceku asnjë fjalë nëse veprimet e tij jane derivat i konsultimeve me SHBA e BE dhe nëse këta të fundit janë dakordësuar. Kujtojmë se si SHBA ashtu dhe BE, permes emisarit Escobar dhe zëdhënësit në Bruksel Peter Stano, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës zgjatjen me 12 muaj të afatit për konvertimin e targave.