Aktualitet
Kurti – Vuçiç, urrejtje dhe dashuri/ Të dy nuk duan marrëveshje
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe daton që nga viti 2013, kur fillimisht u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçic me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Pas dy vitesh më 2015, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe një marrëveshje tjetër për themelimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ish-kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa.
Në të përmbahej edhe një klauzolë që kërkonte prej Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të shqyrtonte mos-përputhjet eventuale të tekstit me Kushtetutën e Kosovës.
Pas 10 viteve, çështja e Asociacionit vazhdon të jetë “mollë sherri” në mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaron vazhdimisht se një asociacion me kompentenca ekzekutive nuk do të ketë, madje në marrëveshjen për normalizim nuk përmendet asnjë asociacion, por vetëmenaxhim i serbëve.
Në anën tjetër, Serbia do asociacion sipas formës së Beogradit.
Eksperti amerikan për politikë dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir, duke folur rreth asociacionit dhe formës si duhet të jetë, tha se kjo çështje ka qenë një pikë qendrore e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve dhe se palët nuk duket se janë të gatshme të avancojnë procesin e normalizimit. Sipas tij, Vuçiq nuk ka qenë i sinqertë gjatë gjithë procesit të negociatave dhe Kurti nuk i beson atij.