Connect with us

Kronike

Kush e vrau biznesmenin italian? Hetimet marrin kthesë: Bie dëshmia e ortakut, shoqërohet dhe djali i tij

Hetimet për vrasjen e 44-vjeçarit italian, Edoardo Sarchi, i gjetur i pajetë në afërsi të fshatit Salari në Tepelenë, kanë marrë tjetër kthesë. Pas ekspertizës mjeko-ligjore, dyshohet se viktima ka humbur jetën si pasojë e një goditjeje të fortë në kokë, që i ka shkaktuar gjakderdhje fatale.

Ekspertiza hedh poshtë versionin e dhënë më herët nga ortaku i tij, Eqerem Braçi. Ky i fundit, në dëshminë e tij pretendonte se një person i panjohur kishte hapur zjarr ndaj makinës së viktimës. Megjithatë, deklarata e tij tashmë vihet në pikëpyetje dhe mbetet për t’u verifikuar vërtetësia e dëshmisë së tij. Kjo pasi, ai pretendon për një sulm me armë, ndërkohë që ekspertiza teknike nuk gjeti asnjë gjurmë plumbi në automjetin e Sarchit, përveç një gome të shfryrë.

Ndërkohë, policia ka ndaluar Gazment Braçin, djalin e Eqerem Braçit, i cili më herët ishte shpallur në kërkim. Ai dyshohet se ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe është larguar pak para së të mbërrinte policia. Ai aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet. Bazuar në të dhënat më të fundit, pista kryesore e hetimit po zhvendoset drejt një konflikti të mundshëm mes ortakëve të fabrikës së tullave, që Sarchi dhe Braçi kishin në Tiranë

Advertisement