Connect with us

Sport

Kush është “Boshllëku” që mbajti gjallë Gjermaninë

Ka luajtur vetëm 3 ndeshje me Gjermaninë, edhe pse është 30 vjeç, duke shënuar 2 gola. I fundit, në Kupën e Botës, në barazimin 1-1 kundër Spanjës, që mban gjallë shpresat e skuadrës së tij për të kaluar grupin.

I thërritur nga Hansi Flick në kombëtare pak ditë para nisjes së “Katar 2022”, pas dëmtimit të Timo Werner, Niclas Fullkrug është sulmuesi tipik, një numër 9 që i mungon sot Gjermanisë, por edhe disa skuadrave të tjera pjesëmarrëse në Kupën e Botës.

Në kampionatin gjerman ka realizuar 10 gola, duke mbajtur vendin e golashënuesit të dytë më të mirë deri tani, e ndoshta kjo ka bërë që Flick t’i besojë një vend në kombëtare. Deri tani, ia shpërbleu me një gol vendimtar.

I njohur me nofkën “Boshllëku”, si hapësira mes dhëmbëve të sipërm, pak dihet për Fullkrug. Por gazeta gjermane “Bild” ka sjellë disa fakte për karrierën dhe jetën e njeriut më të përfolur në Gjermani, dhe jo vetëm, për momentin.

Fullkrug vjen nga një familje futbollistësh. Babai i tij, Andreas, ka luajtur me klubin e vogël TuS Ricklingen në Hanover, ndërsa gjyshi, Gerd, ka luajtur për Arminia Hanover në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. Në Bundesliga 2 luante deri vjet edhe vetë Niclas. E motra 25-vjeçare, Anna-Lena, luan gjithashtu me futbollin e femrave me Hanover ’96. Sipas vetë Fullkrug, të gjithë kanë një stil loje, “goditjet me kokë janë specialiteti ynë”.

Me bashkëshorten Lisa është njohur që në shkollën fillore dhe u martuan në vitin 2016. 3 vite më parë familja u shtua me një vajzë, Emilia. Ai është një “bomber” jo vetëm në fushë, por edhe në kuzhinë, ku gatuan ushqime tepër të shijshme.

Prej vitit 2019 luan me Werder Bremen. Në verë rinovoi kontratën, duke pranuar uljen e rrogës me 30%, nga 2,5 milionë në 1,75 milionë euro në sezon. Në fillimet e veta, kishte premisa për t’u bërë sulmues i madh. Në një sezon, tek të rinjtë e Ricklingen, “Bild” raporton se shënoi 162 gola në një sezon.

Por si profesionist pati vështirësi për të arritur majat. Pasi nuk ia doli të kishte sukses tek të rinjtë e Werder Bremen dhe te Fürth e Nuremberg, kaloi te Hanover në sezonin 2016/17. Një vit më pas, arriti të dallonte, duke luajtur të gjitha ndeshjet në Bundesliga, e duke shënuar 14 gola. Në 2019-n kthehet te Werder, ku pas dy vitesh të vështira, sezonin e kaluar e mbyll me 19 gola në 33 ndeshje, ndërsa këtë sezon, deri tani ka realizuar 10 gola.

Shenja më dalluese e Fullkrug është pa dyshim hapësira e madhe boshe mes dhëmbëve, prej së cilës ka fituar nofkën “Lücke” – “Boshllëku”, që besohet se ia ka vendosur ish-shoku i skuadrës te Werder, Marko Arnautoviç. Fullkrug dikur mbante tela, por i hoqi para kohe. “Hapësira është zgjeruar tani, kështu që ka vend për të vendosur një dhëmb tjetër”, thotë vetë lojtari. “Njerëzit e shohin me pozitivitet ndërsa gruaja e pëlqen. Ka mësuar të më dojë kështu siç jam”.

Advertisement