Kosova
Kush është djali i Albin Kurtit, Lista Serbe ofendon Rashiçin për Asociacionin
Lista Serbe shpërtheu në ofendime ndaj ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, i cili të hënën shprehu gatishmërinë që të përfshihet në hartimin e një statuti për Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, duke pretenduar se ai nuk i përfaqëson interesat e komunitetit serb dhe nuk ka legjitimitet popullor të flasë për këtë çështje.
Në një komunikatë për shtyp të postuar në “Facebook”, partia kryesore e serbëve të Kosovës pretendoi se Rashiçi erdhi në postin e ministrit pas zgjedhjes personale të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, prandaj nuk është përfaqësues legjitim i serbëve të Kosovës.
“Kush ju dha autoritetin të flisni në emër të serbëve? Kujt i intereson mendimi yt kur je thjesht djali i Albin Kurtit dhe nuk do të jesh kurrë përfaqësues i popullit serb? Kur njerëzit nuk kanë fytyrë dhe nder, nuk kanë frikë nga Zoti dhe nuk kanë turp, atëherë mund të presësh çdo gjë prej tyre” – thuhet në reagimin e Listes Serbe.
“Teksa serbëve u mohohen të gjitha të drejtat, u ndalohen produktet dhe barnat serbe, u vidhen pronat, serbët e respektuar arrestohen pa prova dhe rrihen nga regjimi, Rashiç pi kafe me Kurtin dhe padyshim i miraton veprimet e tij”, propagandoi partia destruktive serbe që vepron në Kosovë.
Kujtojmë se Rashiç, në një intervistë shprehu gatishmërinë që të përfshihet në hartimin e një statuti për Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Ai shtoi se në draftstatutin e propozuar nga ndërkombëtarët për mekanizmin serb, ekzistojnë disa paqartësi, porse nuk bëhet fjalë për “bosnjëzimin” e Kosovës.
Ndryshe, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe konsiderohet obligim i pazbatuar, i cili buron nga marrëveshja e vitit 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është marrëveshja e vetme e dialogut që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave dhe ka fuqinë ligjore të një marrëveshjeje ndërkombëtare.