Connect with us

Aktualitet

Kush ishte Artur Zheji, gazetari përtej dimensionit politik

Gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Artur Zheji, ka ndërruar jetë në mënyrë të parakohshme në Sarandë, teksa ishte në pushime familjare, duke bërë që bota e gazetarisë dhe jo vetëm, të kaplohen nga një zi e humbjes së një kolegu, i cili dilte përtej dimensionit politik.

Siç ka arritur të kuptojë Albanian Post, ndihmë mjekësore është kërkuar dhe një ambulancë është paraqitur në një hotel në rrugën Butrinti, pikërisht për t’i ardhur Zhejit në ndihmë, por pa mundur ta shpëtojë atë, përtej përpjekjeve.

Pjesa më e madhe e brezit të ri e njihte Artur Zhejin si një nga gazetarët dhe një nga analistët më në zë të ekranit shqiptar, i cili në çdo studio televizive spikaste për opinionet e tij jo të gjindshme te të tjerët.

Por, kush ishte në të vërtetë Artur Zheji dhe si u spikat ai gjatë viteve, që prej rinisë?

Fillimet e Artur Zhejit datojnë me artin, lidhja me të cilin pa dyshim ka qenë nëna e tij, aktorja e mirënjohur Besa Imami.

Artur Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Teksa diplomohej, ne skenën e Teatrit Kombëtar u vu në skenë drama e tij “Raimonda”, e cila u interpretua nga emra të mëdhenj të skenës.

Më pas karriera e tij mori një drejtim tjetër, u largua drejt Italisë ku qëndroi për rreth 10 vite dhe punoi në një nga radiot më të mëdha italiane “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit.

Pas kësaj eksperience të vyer analisti u rikthye në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në gazetari dhe publicistikë, ku shpalosi artin e tij të fjalës.

Advertisement