Për të kuptuar fitimin nga projektet e investimeve strategjike në bregdet, duke marrë si paradigmë faktin se turizmi do të jetë promotori i ekonomisë së vendit, pyetja e parë që shtrohet është se sa ka ndërmend kryeministri të bëjë peshën e turizimit në ekonomi? 10% sa është sot apo 20 dhe 30% të GDP? Drejt cilës strukturë ekonomike do të shkojmë, të vendeve të G7 apo atyre të Afrikës dhe Karaibeve?
Nëse e bëjmë nul paragrafin e mësipërm dhe pranojmë se turizmi do të jetë sektori kryesor i ekonomisë tonë, pyetja tjetër që shtrohet është sa do të jetë përfitimi ekonomik që do të kemi nëse vendosim të bëjmë resorte në këto dy zona?!
Një udhëheqës që mendon për vendin e tij do të vepronte kështu: do të niste hartimin e një studimi i cili do të zbulonte potencialet e ndikimit në ekonomi nga zhvillimi i Sazanit dhe Zvërnecit. Kjo punë shkencore do të nxirrte raportet se sa para do të përfitonte ekonomia e ndarë sipas buxhetit të shtetit dhe në formë direkte te qytetarët. Nëse do të kishte leverdi, atëherë do të hapte garën për të parë mos ka ndonjë investitor që jep diçka më shumë se skenari bazë i studimit për pjesën që i ndahet shtetit ose publikes.
Kjo procedurë jo vetëm që nuk ka ndodhur, por shohim se është ndjekur një rrugë tërësisht sekrete për të ndryshuar Ligjin për Zonat e Mbrojtura, shtyrë me 1 vit Ligjin për Investimet Strategjike e mbase dhe nxjerrjen e Sazanit nga Plani i Përhapjes së ushtrisë për të miratuar kërkesën e Kushner. Dhjetra institucione që duhet të kërkonin llogari për procedurën me në krye Kuvendin dhe Presidentin thjesht po shihen teksa ‘noterizojnë’ kërkesat e udhëheqësit.
Në gjithë këtë mes kemi dhe një grup tjetër që duket se kanë çeduar në sistemin tonë të quajtuar demokratik. Të dy opozitat dhe parti të ndryshme politike (të reja e të vjetra), nuk reagojnë dhe as kundërshtojnë këtë që po ndodh. Në çdo rast tjetër nëse demokracia do të funksiononte, garancinë për ‘rrëshkitjen’ e saj do e jepte forca kundërshtare. Në këtë rast disa ndihen të kompleksuar, të tjerë duket se pranojnë që po të ishin në këtë pozitë do të vepronin njëlloj.
Të vetmit të zhgënjyer nga kjo që po ndodh janë ata që mendojnë se Amerika ditë e natë punon dhe shqetësohet për ne. Si ka mundësi ta marrë Sazanin në këtë formë një ish-zyrtar i lartë amerikan?! Këta janë ata delirantët që ecin me duar në xhepa dhe mendojnë se një ditë të bukur shqiptarët do të kenë lirinë, demokracinë dhe mirëqënien vetëm sepse do t’ia ‘sjellin me aeroplan aleatët e huaj’.
Shqipërinë nuk e mbron Edi Rama dhe as opozita. Nuk e mbrojnë sigurisht as partnerët ndërkombëtarë, të cilët veprojnë brenda kornizës së tyre dhe interesave të vendit për të cilën ata punojnë. Shqipërinë e mbrojnë dhe mund ta mbrojnë vetëm shqiptarët.
Është populli që ka në dorë dy instrumenta demokratikë: votën dhe protestën. Nëse e doni vendin, nëse nuk doni të jepet si plaçkë për pushtetin e çdokujt, nëse doni që me pasurinë tuaj të mos shtoni pasurinë e më të pasurve (shqiptarë apo të huaj qofshin), dilni dhe ndaleni!