Connect with us

LAJMI I FUNDIT

Kuvend/ Debat maratonë për ‘McGonigal’…Akuza dhe kundërakuza

Ka nisur seanca maratonë e ditës së sotme, e cila pritet të zgjasë gati 24 orë që do të vihen në dipozicion për interpelancën, mocionin me debat dhe seancën me pyetjet, 3 kërkesa të ndryshme për kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal. Në fjalët e tyre Sali Berisha, Enkelejd Alibeaj dhe Luçiano Boçi teksa kanë prezantuar 3 kërkesat kanë kërkuar largimin e Edi Ramës, duke e akuzuar se ka kurdisur skandalin më të madh të historisë së shtetit shqiptar në marrëdhëniet me SHBA. Kryeministri Rama i ka thënë se zero akuzë është bërë nga amerikanët, ndërkohë që në Shqipëri ka pasur një kanal ujërash të zeza.

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 11:07

Rama: Hidhuni përpjetë sa të doni, nderin e përballjes me mua s’do e keni! Mos u shkulni nga revolucionet imagjinare

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën duke thënë se mund të thonë sa të duan që është trembur e frikësuar dhe të mos shkulen nga revolucionet imagjinare, por s’do mund të përballen dot me të.“Fronti i prokurorisë i pranishëm në sallë po zhvillon me hov revolucionar një tjetër proces këtu në Shqipëri. Se kush janë dhe pse e bëjnë këtë vetëgjyqësi të harbuar, besoj se s’ka shumë nevojë për shpjegime. Dihen e shquhen për nisma të kësaj natyre dhe as nuk i ngatërron dot me dikë tjetër. Janë po ata që i kanë bërë të tëra të zezat për të cilat na akuzojnë natë e ditë që kur ranë në opozitë. S’kam ardhur sot e nuk do të vij më për ta. Do të vij sa herë të jetë nevoja për respekt të zgjedhësve dhe deputetëve të shumicës që sot nuk mund t’i lija vetëm në këtë mocion absurd për debat.

E kam thënë që para se të niste kjo zallamahi, që në të hyrë të vitit të ri që s’do ta furnizoj më me energjinë time të zjarrit pa ndalim. Nuk kam dëshirë të armatosem me fjalorin e ulët të kësaj politike. Fatkeqësisht janë përfshirë me zell e zjarr në këtë palo luftë dhe jam bërë padashje dhe unë pjesë e asaj mase të errët. Mjaft më. Ka kaq shumë gjëra për të bërë. flisni, bërtisni, ulërini, akuzoni, shpifni, kërcënoni, shani, ofendoni, sajoni, fabrikoni, protestoni, hidhuni përpjetë sa të doni por nderin e përballjes me mua bam e bum, njëri gozhdës tjetri patkoit, s’keni për ta pasur. Thojini të tjerëve sa të doni që jam trembur, po të doni mos u shkulni nga revolucionet imagjinare, por mua s’do më keni më palë. Ju jeni në rregull, keni hyrë në vitin e 10-të të rrugës që më keni rrëzuar disa herë”, tha Rama.

Ora 11:04

Rama ironi ndaj opozitës: Gjithë këto 9 vite më keni mundur! Në zgjedhjet e 14 majit do fitoni edhe Uashingtonin dhe Vlorën

Kryeministri, Edi Rama ka ironizuar opozitën ditën e sotme, duke deklaruar se gjatë gjithë zgjedhjeve në 9 vitet e fundit është mundur dhe se në zgjedhjet e ardhshme lokale, partitë politike të opozitës do mund të fitojnë edhe Uashingtonin.“Më keni mundur në të gjitha zgjedhjet e 9 viteve dhe jam i vetëdijshëm se viti i 10 dio jetë viti i fitores tuaj më të madhe të kësaj dekade. Në 14 maj, përveç Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit, do merrni dhe Vlorën dhe Uashingtonin. Prandaj unë ju hap rrugë përfundimisht dhe ju them sot se ndihem fajtor që nuk kamë bërë dot atë që duhet kundër mjerimit të thellë të politikës në vendin tonë, ku fukarallëku  i vlerave dhe i aspiratave që ulet këmbëkryq në foltore më foltore, e ka mbulepsur krejt shoqërinë, duke ushqyer egoizmin të individëve ndaj njëri tjetrit. Kjo nuk është politika por versioni i saj më i degraduar. Politika është diçka krejt tjetër, e lartë dhe e lavdishme, për njerëzit dhe me njerëzit”-tha Rama.

Ora 11:02

Rama: Balta ndaj meje në Shqipëri, një kanal ujërash të zeza! Në SHBA nuk ka asnjë akuzë zyrtare

Kryeministri Rama ka marrë fjalën në seancën e sotme plenare duke thënë që në fillim se asnjë akuzë nuk është ngritur ndaj tij në SHBA.“Prej javësh në Shqipëri ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza në një përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHVA që nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me qeverinë e Shqipërisë apo me mua personalisht. Çfarë ka ndodhur konktretisht: Një ish zyrtar i FBI akuzohet për një bashkëpunim të paligjmshëm me oligarkun rus Deripaska. Prokurorët sipas tyre kanë pikasur edhe një sërë shkeljes që lidhet me udhëtimet në vendin tonë, ku në akt akuzë thuhet se ai ka ardhur edhe në Shqipëri dhe është takuar me mua,. Aktakuza thotë se ai nuk i ka deklaruar takimet me mua dhe ka marrë edhe para borxh. Në aktakuzë gjithashtu flitet edhe për çështjen e hetimeve të parave ruse në PD. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç personit. Kaq janë faktet. Por pavarësisht një hetimi të gjatë që unë kam marrë vesh vetëm kur ka dalë në media, nuk ka asnjë akuzë ndaj meje përveç raportimit korrekt të takimeve me mua”, tha Rama

Ora 10:54

Berisha ‘revoltohet’ në foltoren e Kuvendit: Më lini të flas! Ti Damian mos fol se edhe ti McGonigal je

Ish kryeministri, Sali Berisha është revoltuar ditën e sotme në foltoren e Kuvendit ku u ka bërë thirrje deputetëve të mazhorancës ta lënë të flasë.“Mos më ndërprisni kur flas unë. Ku je ti Damian Gjiknuti se edhe ti McGonigal je. Apo foli ai tjetri Taulanti, se njësoj jeni ju. Më lini të flas”-tha Berisha.

Ora 10:52

Berisha-Ramës: Të ka hyrë lepuri në bark! Sill një barrelë se të ka rënë fuqia te këmbët! Shqipëria do ketë vetëm kaos nëse s’jep përgjigje për McGonigal

Sali Berisha thotë se kryeministrit Edi Rama i ka hyrë lepuri në bark ndaj ka liruar karrigen e kryeministrit se ia ka zënë Charles McGonigal. Nga Kuvendit shprehet se Rama duhet t’i përgjigjet një seri pyetjesh dhe nëse nuk e bën paralajmëron se do ketë vetëm kaos.Po ashtu thotë se do bëjnë gjithçka që t’i heqin imunitetin diplomatik pasi sipas Berishës kishte synim të shkatërronte opozitën.

“Që në fillim dua të theksoj se skena e këtij parlamenti sot është më e veçanta në tërë historinë e tij. Aty ku është karrigia e kryeministrit, qëndron sot Charles McGonigal kurse ai që duhet të ioshte aty, është iluziv se i ka hyrë lepuri në bark dhe ka një frikë të tmerrshme nga ajo që i ka bërë vetes së tij. Atë nuk e zë vendi vend se ka kryer krime të shëmtuara, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai sot e mira është të sjellë barrelë ose shtrat se i ka rënë fuqia te këmbët. Ai sot bëri mirë që nuk doli aty se nuk ka si të paraqitet para shqiptarëve me aktin e shëmtuar që ka kryer. Jam këtu për një seri pyetjesh, janë 30 por duhet të jenë 130 që duhet t’i përgjigjet Komisioni Hetimor Parlamentar. Pa marrë përgjigje, Shqipëria do ketë vetëm kaos dhe përgjegjësia do të bjerë mbi atë që ka ulur sot aty në vendin e vet tradhtarin e kombit amerikan, vrasësin me pagesë të opozitës shqiptare, Charles McGonigal. Është e pashembullt në histori që një vend partner t’i rekrutojë kryezbuluesin një vendi që udhëheq botën e lirë. Është e pashembullt që një kryeministër të vërë në dispozicion të tij të gjithë shtetin për të bërë luftën më monstruoze, më të turpshme kundër pluralizmit dhe opozitës. Më mirë futu aty se ke kryer krim ndaj SHBA. Do bëjmë gjithçka që të të heqim imunitetin diplomatik”, tha Sali Berisha.

Ora 10:48

Luçiano Boçi prezanton interpelancën: Kryeministër bën mirë të ikësh, në SHBA je në hetim se je bërë ‘alarm i kuq’ për ta

Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, ka kërkuar që Kryeministri Rama të japë dorëheqjen pasi sipas tij është bërë alarm i kuq në SHBA.“Ne kemi kërkuar që Edi Rama të përgjigje për akuzat publike dhe juridike të ngritura ndaj tij në SHBA.  Ndërsa për akuzat këtu duhet të kishte dhënë dorëheqjen. RE shndërroi Qeverinë në një mejhane politike. Ky i sotmi nuk është një gjyq politik, por fillimi i një fundi politik të një Kryeministri. Para nesh është zbuluar në të gjithë përmasën e tij një projekt kriminal perfid. Një gazetar i famshëm amerikan ka thënë ‘kur të flasë McGonigal të gjithë do të dëgjojnë’.  Nese Pablo Escobar do të kishte pasur këtë perfeksion ai do të kishte qenë ende kumbari i kokainës.

Rama bëhet kështu kryeministri i parë i shtetit shqiptar që akuzohet zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falë drejtësisë amerikane dhe mediat amerikanë është bërë e qartë se Qeveria e Shqipërisë ka korruptuar një zyrtar amerikan me qëllimin kryesor për të goditur dhe zhdukur opozitën. Emri i Ramës përmendet 14 herë dhe tashmë janë të provuar katërcipërisht.

Guximi i Ramës përballë këtij krimi kushtetues shkëlqeu me fshehjen e tij nga Kuvend për disa javë. Të gjithë duhet të na shqetësojë kjo ngjarje. SHBA tashmë e ka shpallur nën hetim qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin e saj, siç e vërteton edhe vendimi i Grand Jurisë në një dokument të publikuar, dokument bashkëngjitur akuzës.

Opozita shqiptare është më e vendosur se kurrë të hedhë dritë mbi këtë çështje. Se çfarë thotë

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve ka thënë dje se nëse përfaqësuesi i një shteti të huaj tenton të paguajë dikë për ta mbështetur atë apo qeverinë e tij padyshim do të ishte alarm për SHBA-në. Pra, Rama sot është alarmi i kuq në SHBA dhe çfarë do të thotë sot do të përdoret kundër tij në procesin në SHBA”, tha Boçi.

 
 
Advertisement