Kosova
Lajçak e Ulutas pajtohen se çdo vendim për hapjen e urës së Ibrit duhet të merret në dialog
Çdo vendim për hapjen e urës mbi lumin Ibër, e cila bashkon Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ky është konkluzioni i takimit që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka realizuar me komandantin e KFOR-it, Ozkan UIutas.
“Ky është çelësi për sigurinë e të gjitha komuniteteve. KFOR-i nderkohe po mban një prani fikse në urën e Mitrovicës dhe po kryen patrullime të rregullta në zonat përreth” – thuhet në një komunikatë për media, e lëshuar nga KFOR-i.
Ndër të tjera komunikata njofton se në takimin mes Lajçak dhe Ulutas u “vlerësua bashkëpunimi shumë i ngushtë dhe koordinimi i rregullt ndërmjet KFOR-it dhe BE-së në terren”.
“Gjithashtu u diskutuan një sërë temash me interes të ndërsjellë që ndikojnë ne një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet anembanë Kosovës. Ata përsëritën përkushtimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin në dobi të sigurisë në mbarë Kosovën dhe të stabilitetit rajonal” – thuhet ne komunikate
Diplomati sllovak pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimin, në një prononcim të shkurtë për media, ka njoftuar se me kryenegociatorin kosovar kanë diskutuar për nevojën e përshpejtimit të implementimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.
Çështja e dytë që u diskutua, sipas Lajçak, ka qenë Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
I pyetur për raportin e Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, për heqjen apo jo të masave ndëshkuese të Unionit ndaj Kosovës, diplomati sllovak, ka njoftuar se kjo çështje do të diskutohet të mërkurën në mes të vendeve anëtare të Unionit dhe ka potencuar se personalisht është në favor të largimit të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Lajçak gjatë prononcimit ka bërë të ditur se i është kërkuar të vazhdojë punën si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi, deri në fund të muajit janar.
Diplomati sllovak pas Kosovës, do të udhëtojë në Serbi. Të mërkurën ai pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.