Kosova
Lajçak informon Sarrazin-in për zhvillimet e fundit në dialog
I Dërguari Special i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me Emisarin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, të cilin e ka përditësuar rreth zhvillimeve të fundit në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Lajçak, përmes një postimi në platformën X, teksa takimet me Sarrazin-in i konsideroi gjithmonë të dobishme.
“Krahasuam shënimet për zhvillimet e fundit në rajon dhe e përditësova atë për gjendjen e lojës në Dialog” – shkroi diplomati sllovak, teksa shtoi se do të vazhdojnë që të qëndrojnë në kontakt të ngushtë për këto çështje.
Vendet perëndimore, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, kanë shtuar përpjekjet e tyre diplomatike për të zgjidhur problemin mes dy vendeve fqinjëve ballkanikë.
Në këtë drejtim është edhe propozimi evropian për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – të cilin Kosova e ka pranuar në parim.
Nga ana tjetër, Serbisë po i kërkohet që ta njohë de facto Kosovën.
Në fakt, këto që bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po i kërkojnë nga Kosova dhe Serbia, janë gjëra që vetë vendet respektive janë zotuar se do t’i zbatojnë, përkatësisht me pranimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).