Aktualitet
Lajçak pretendon, Vuçiç hesht/ Tërheqja e letrës së Brnabiç, parathënie për njohjen e Kosovës
Ndonëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga Beogradi, deklarata e emisarit te Bashkimit Europian, Miroslav Lajçaku për tërheqjen e letrës që ish kryeministrja Ana Brnabic dërgoi në Bruksel, në të cilën shprehte rezerva për disa aspekte të Marrëveshjes së Ohrit dhe përcaktonte vijat e kuqe të Serbisë për Kosovën, ka shkaktuar një sërë reagimesh.
Kjo situatë solli edhe një herë në plan të parë një nga pyetjet kryesore që opozita ne Serbi shpesh ia shtron pushtetit: nëse çështja e Kosovës po instrumentalizohet për të fituar pikë politike në opinionin vendas.
Vijat e kuqe të tërhequra nga Serbia përfshijnë se çdo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe sipas Brnabic nuk mund të përmbajë as njohjen de facto apo de jure të Kosovës, as mbështetjen për anëtarësimin e saj në OKB.
Tërheqja e kësaj letre mund të ketë pasoja për pozicionin e Serbisë në negociata dhe shtron pyetjen se çfarë do të thotë për të ardhmen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas analistit politik Zoran Lutovac, në momentin kur është dërguar letra ka qenë e qartë se ajo i është drejtuar opinionit vendor dhe jo aktorëve në negociatat për statusin e Kosovës.
“Vuçic me politiken e tij sillet si çiklist: më të fortit i përkulet, më të dobëtit I pedalon” – deklaroi Lutovac dhe theksoi se tërheqja e letrës mund të nënkuptojë hyrjen në fazën finale të negociatave dhe të çojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kurse gazetari Dorđe Vukadinović, tha per median serbe Danas se është bërë shumë zhurmë rreth kësaj letre dhe (mos)tërheqjes së saj të supozuar apo të vërtetë, edhe pse çështja është në thelb relativisht e thjeshtë.
“Të vetëdijshëm për disponimin e keq të publikut ndaj planit franko-gjerman dhe Marrëveshjes së Ohrit, autoritetet serbe bënë gjithçka për të fshehur sa më shumë përmbajtjen e tij, si dhe për të relativizuar sa më shumë pranimin e planit nga Beogradi në sytë e votuesve të tyre” – deklaroi Vukadinović