Kosova
Lajçak qëndron sërish, zhgënjim në Kosovë, dasmë në Serbinë e Vuçiçit
Pritshmerite e Bashkimit Evropian për avancim të dialogut Kosovë-Serbi, duket se janë të larta, edhe për periudhën më të nxehtë të vitit.
Emisari Miroslav Lajçak, konfirmoi se në këtë pozitë do të mbetet deri në janar të vitit të ardhshëm, përkundër që tashmë është zyrtarizuar se do të jetë ambasador i BE-së në Zvicër.
Por përderisa pritjet e Brukselit janë angazhim i palëve në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit e Aneksit të Ohrit, nga qeveria kosovare, këtë çështje e shohin si problem të vetëm palës tjetër.
Sipas zv kryeministrit Besnik Bislimi, zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit nuk varet nga Kosova por nga destruktiviteti i Serbisë.
Por qendrimin e Lajçakut edhe për disa muaj në pozitën e emisarit të BE-së, Blerta Deliu, deputete e PDK-së dhe anëtare e Komisionit për Integrim Evropian, nuk e sheh me shumë optimizëm.
Ajo tha se vendi ka shënuar regres në këtë proces dhe se tani s’po diskutohet fare njohja reciproke.
Sipas saj, tani më shumë po diskutohet për autonomi në veri dhe kjo siç deklaroi ajo, është dështim i qeverisë Kurti.
Nga shoqëria civile, çështjen e Asociacionit e konsiderojnë si pikën kyçe të procesit.
“Zbatimi i marrëveshjes dhe Asociacionit nuk duket më afër sesa për muajt e kaluar, dhe mbetemi ende larg. Qoftë për shkak te mos gatishmërisë së Qeverisë për ta dërguar draftin në Kushtetuese, por siç shihet edhe mosgatishmëria e Serbisë për te respektuar marrëveshjen”- ka thënë Belgzim Kamberi nga fondacioni “Musine Kokalari”.