Kosova
Lajm pozitiv e quan Gioffre vizitën e Macron në Serbi
Si “lajm pozitiv” e ka cilësuar shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Gioffre, vizitën e paralajmëruar të presidentit të Francës, Emmanuel Macron në Serbi.
Në vlerësimin e tij kjo vizitë është e “rëndësishme për rrugën evropiane të Serbisë”.
“Është pjesë e angazhimit të vendeve anëtare që po punojnë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë dhe është gjithashtu e rëndësishme në kontekstin e rrugës evropiane të Serbisë”, tha Gioffre, raportojnë mediat serbe.
Ndryshe në një artikull të gjigantit amerikan “Bloomberg” rreth marrëveshjes së fundit midis Francës dhe Serbisë për shitjen e 12 avionëve luftarakë “Rafale” në vlerë prej 3 miliardë eurosh, thuhet se presidenti francez, Emmanuel Macron, ka treguar – muajt e fundit – simpati ndaj pikëpamjeve serbe, posaçërisht në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Duke qenë se shitja e aeroplanëve të sofistikuar luftarakë për Serbinë, në bazë të raportimeve të fundit të agjencive franceze, nuk do të ndodh pa u zgjidhur disa probleme, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), prestigjozja amerikane shkruan se kjo çështje pritet të adresohet sërish.
Gjithashtu, aty përmendet edhe presioni i Macronit ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa i përket themelimit të një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe: “Macroni ka kërkuar nga kryeministri kosovar që t’i rrisë përpjekjet drejt integrimeve evropiane, duke i thënë liderit ballkanik se duhet t’i ofrojë më shumë autonomi minoritetit serb [në veri] të vendit”.