Connect with us

Politike

Lapaj i pavendosur: Heq dorë nga mandati, por kërkon që deputete të shkojë goca e tezes

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e kreut të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, duke ia kaluar mandatin e deputetit tezes së tij Ana Dajko. Ndryshe nga çfarë kishte deklaruar më parë, se mandatin duhet ta merrte tezja, sot Lapaj ka pretenduar ta marrë goca e tezes, Kleana Xhuveli.

Mirëpo, pretendimet e kreut të “Shqipëria Bëhet” nuk janë marrë parasysh dhe anëtarët kanë vendosur që mandatin ta marrë Ana Dajko, tezja e Adriatik Lapaj.

Ky i fundit, që kur kanë përfunduar zgjedhjet është përfshirë në përplasje me anëtarin e koalicionit Endri Shabani, duke pretenduar se mandati i takonte atij. Më pas, kur rrezikohej sepse emrat në listën e sigurt nuk po jepnin dorëheqjen, ai kërkoi që mandatin ta merrte tezja e tij.

Në skenë atë kohë, doli dhe daja i aleatit të tij, Endri Shabani, shtetasi Zeqir Kordhoni. Lapaj dhe Shabani u përplasën për dajën e këtij të fundit dhe koalicioni mori fund pas zgjedhjeve.

Mirëpo, edhe përse koalicioni u prish dhe mandati ishte i sigurt për partinë e Lapaj, ky i fundit ka ndërruar disa herë mendje, duke pretenduar në fillim se do ta merrte ai mandatin, më pas vajza e tezes Kleana Xhuveli dhe më pas tezja Ana Dajko.

Por siç duket, tashmë që e mori tezja, kreu i “Shqipëria Bëhet” ka kërkuar që në Shtator në Parlament të shkojë si përfaqësuese e zgjedhësve të kësaj partie kushërira, vajza e tezes. Kërkesa nuk është marrë parasysh dhe mandati i ka shkuar Ana Dajkos, jo Kleana Xhuvelit.

“Në KAS është kërkuar tjetër gjë nga ajo që kërkohet sot. Në KAS është kërkuar që mandati t’i jepet Adriatik Lapajt. Sipas KAS dorëheqjet nuk mund t’i shqyrtojë KQZ por Kuvendi. Deklaratat e dorëheqjes janë të pavlefshme.

Mandati duhet t’i kalojë Ana Dajkos. Nëse zonja nuk e do mandatin të mos bëjë betimin në Kuvend dhe vend i saj të plotësohet sipas radhës së listës”, deklaroi përfaqësuesja e KQZ, Pavlina Docaj.

Advertisement