Politike
Lapaj nga Korça: Do ofrojmë subvencionim për çdo kilogram prodhimi

Fermerët kanë pritur sot kreun e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe disa nga kandidatët për qarkun Korçë, në një takim në fshatin Pojan.
Lapaj ndau disa nga pikat e programit për fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, duke përfshirë subvencionimin për kilogram prodhimi, themelimin e Bankës Kombëtare Agrare, monitorimin e cilësisë së farave, fidanëve, pesticideve nga shteti, etj.
“Programi që ne kemi hartuar synon një reformim total në fushën e bujqësisë, blegtorisë, bletarisë dhe peshkimit. Në pikën e parë të programit, ne kemi parashikuar subvencionimin për kilogram. Pra, për aq kilogram sa prodhoni, shteti do t’ju subvencionojë. Po si do të ndodhë kjo? Ju do të hapni një llogari të posaçme pranë një banke të nivelit të dytë.Secili nga ju për prodhimin do të duhet të presë faturë fizike ose elektronike pa asnjë detyrim fiskal. Kalimi i vlerës së subvencionit do të bëhet automatikisht nga Thesari i Shtetit në llogarinë e fermerit, blegtorit, peshkatarit apo bletarritësit në çastin kur fatura e shitjes konfirmohet në sistem nga pika e grumbullimit. Kjo është zgjidhja për çdo fermer, sepse do të çojmë hakun tek i zoti, nuk ka nevojë të dimë sa naftë e pesticide keni përdorur. Ne do të llogarisim kostot për çdo kilogram. Shtetit do t’i duhet të gjurmojë vetëm pikën e grumbullimit. Paramendoni që për punën tuaj do të subvencionoheni për aq sa keni prodhuar.
Pika e dytë: Do të hapim Bankën Kombëtare Agrare. Përmes saj, ju do të shkoni të merrni kredi me vlerë deri në 100 mijë euro për gjërat që ju duhet të investoni. Për këto kredi, shteti do të veprojë si bankë me interesa të buta. Qëllimi nuk do të jetë të vazhdojmë të veprojmë si fajde, por t’ju lehtësojmë punën, e për këtë ne kemi parashikuar që interesat do të variojnë nga 3 deri në 3.5%. Nëse ju duhen para, do të shkoni atje dhe do t’i merrni me interes të butë.
Në lidhje me cilësinë e farave dhe fidaneve, askush nuk mban sot përgjegjësi për këtë. Për këtë, ne e trajtojmë në programin tonë si një pikë kyçe për sigurinë kombëtare. Të gjitha kompanitë që importojnë, shesin dhe prodhojnë fara do të lidhin marrëveshje të posaçme me shtetin për të siguruar standardet e duhura. Çdo subjekt që shet apo prodhon fara do t’i nënshtrohet një sistemi gjurmimi të farave apo fidanëve që shet/prodhon dhe nëse nuk përmbush standardet e miratuara për përdorim, do të detyrohet të paguajë 10-fishin e vlerës së farave/fidanëve dhe vlerën e dëmit që i shkaktohet fermerit.
E njëjta gjë do të aplikohet për cilësinë e pesticideve. Ajo që ne do të bëjmë është që të gjitha subjektet që shesin dhe prodhojnë pesticide do të nënshkruajnë marrëveshje me shtetin për të lejuar tregtimin e këtyre produkteve, duke mbajtur përgjegjësi për cilësinë e tyre. Theksoj që kjo çështje do të adresohet me propozimet përkatëse në Kodin Penal, kjo nëse ju një ditë na bekoni me pushtet.”, tha Lapaj.

