Connect with us

Politike

Lapaj tha se do “shkrihen” në një parti/ Shabani: Adriatiku, i lirë të rikthehet te “Nisma”

“Para zgjedhjeve ka pasur një qasje që mund të ndodhë edhe një kohezion, një shkrirje në një. Ngelet për t’u diskutuar, unë jam i hapur për të gjitha variantet”. 

Kjo deklaratë e kreut të Shqipëria Bëhet, Adratik Lapaj, duket se është rrufe në qiell të hapur për aleatët e tij në koalicion. Në një intervistë në A2CNN, Endri Shabani, pohon se kjo gjë nuk është diskutuar ende, por thotë se Adriatik Lapaj është i lirë të rikthehet te Nisma Thurje, aty ku dhe e ka nisur aktivitetin politik.

“Nisma Thurje ka qenë një organizatë e shoqërisë civile, që e kemi nisur bashkë me zotin Lapaj dhe aktorë të tjerë. Në 2021 ne u themeluam si parti dhe synojmë që të vijojmë si parti politike. Por, padyshim Adriatiku është i lirë në çdo kohë që të rikthehet te Nisma Thurje sepse në fund të fundit kjo është shtëpia e vet”, deklaroi Shabani.

Me përfundimin e zgjedhjeve, në vend të shkrirjes së dy partive në një, Shabani mendon se duhet të negociohet për vijimin e bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme si koalicion: “Koalicioni është ndërtuar për të qenë afatgjatë, por marrëveshja ka qenë deri në 11 maj dhe jemi duke u përpjekur që ta vazhdojmë bashkëpunimin mes Nismës Thurje, Shqipëria Bëhet dhe aktorëve të tjerë për zgjedhjet e ardhshme”.

Një çështje që vijon të mbetet pezull është ndarja e mandatit të Tiranës mes kandidatëve të Nisma Shqipëria Bëhet, por për Shabanin tashmë kjo mund të zgjidhet vetëm nga KQZ: “Është një proces që duhet parë nga KQZ, ne kemi pasur një angazhim që të gjithë ata që kanë qenë në listë të mbyllur do duhet të dorëzojnë dorëheqjet. Gjë që është bërë ditën e zgjedhjeve, janë depozituar në KQZ dhe i mbetet KQZ që të bëjë verifikimin e dokumentacionit e pastaj të kalojë te lista e hapur”.

Sa i takon procesit të rinumërimit të votave në Tiranës që tashmë u përmbyll, kreu i Nisma Thurje nenvizon se kurrë nuk kanë pasur pretendime se votat mund të vidhen në kuti: “Kurrë nuk kemi pasur pretendime që votat që janë hedhur për ne të jenë modifikuar në kutinë e votimit. Rinumërimi konfirmoi këtë gjë”.

Advertisement