Kronike
“Largoje djalin nga Shqipëria se s’del i gjallë”/ Zbulohet biseda e fshehtë e Ndojës me babain e Julian Meçes

Ish-prokurori Arjan Ndoja ka dëshmuar ditën e sotme në seancën gjyqësore në GJKKO ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçës në lidhje me atentatin e regjistruar më 1 nëntor të vitit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit, teksa në atë ngjarje mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit Arjan Ndoji, teksa ky i fundit bashkë me “Rrumin” mbetën të plagosur rëndë.
Ndoja tregoi bisedën me babain e Julian Meçes, të cilin e ka pyetur se çfarë borxhi u kishte, teksa i ka kërkuar që djalin e vetëm ta largonte nga Shqipëria. Sipas Ndojës, Julian Meçe është thjesht ushtar i Plarent Dervishajt, ku ky i fundit më pas ndërhyri, duke i kërkuar që t’i drejtohet me emër.
Po ashtu, ish-prokurori tha se me “Rrumin” nuk është takuar më pas atenatit, ndërsa me babain e shoferit që humbi jetën, ka marrëdhënie normale.
Arjan Ndoji: Me Aleksandër Lahon u bë 5 vite që s’e kam takuar dhe s’kam asnjë kontakt me të. Me Genc Malokun e takoj edhe sot e kësaj dite kemi marrëdhënie të mira, i humbi djali në makinë me mua. Me Dorian Shabën nuk kam pasur asnjë kontakt dhe bisedë për ngjarjen. Unë nuk kam rreth shoqëror të përbashkët me Dervishajn dhe njoh që e kam parë fizikisht por s’kam asnjë lidhje. Le të thotë edhe vetë.
SPAK: E njihni Halit Valterin?
Arjan Ndoji: E njoh si figurë publike, e përshëndeta dhe qeparë. Ka nxjerrë një video, ku sipas tij janë autorët e atentatit tim. Nxorri videon në Kuvend, por nuk e di a janë ata.
Basri Meçen (babai i Julian Meçes, i pandehur në proces) e kam takuar te një notere, kam biseduar për një informacion që më kishte ardhur për ngjarjen që flitej që i përfshirë ishte dhe djali i tij. E pyeta të kam ndonjë borxh unë ty? I thashë që nëse është i përfshirë është e rëndë dhe nëse jo, atëherë ishte një intrigë dhe i thashë largoje djalin se ata që i bënë atë të herës së parë mund të na ngatërrojnë. Nje djalë ke, merre dhe hiqe nga Shqipëria. Nëse është lidhje me atë (Plarent Dervishaj), është thjesht ushtar.
Ndërhyn Plarent Dervishaj: M’u drejto me emër mua!
Arjan Ndoji: Të pandehurit e tjerë në këtë proces nuk i njoh veç Bashkim Haxhijas, që e kam dëgjuar si person i hetuar në një gjykim tjetër
I pyetur nga avokatët e të pandehurve Dervishaj dhe Meçe, Arjan Ndoja tha se “Rrumin” e ka njohur kur ka qenë avokat, ndërsa shtoi se nuk e di se cilat mund të kenë qenë arsyet e atenatit ndaj tij, teksa mohoi që të ketë interes tek Gjiri i Lalëzit.
Avokati i Plaurent Dervishajt: Çfarë lidhje ka patur me Aleksandër Lahon?
Arjan Ndoja: E kam njohur nga një ngjarje të ndodhur, plagosje me thikë kam qenë avokat asokohe. U bë disa muaj që nuk kam kontakt.
Avokati: Pozicioni i tij në mjetin ku udhëtonte para atentatit?
Arjan Ndoja: Mjeti po ecte 60-70 km kam qenë i ulur në sedilen e pasagjerit. Nuk kam parë sesi është qëlluar, kam parë disa video. Ne momentin e ngjarjes nuk arrin dot si të kthesh kokën por shikon dhe ndjen sesi vijnë plumbat nga pas.
Avokati: Pse mendoni që është goditur prokurori?
Arjan Ndoja: Mjeti është i imi, po të kishin punë me personat e tjerë i kishin dhe më parë, bëj ekzistencën e faktit. Kjo është çështje këndvështrimesh, nuk kam patur konflikte sa të më gjuanin me armë. Po të shikohet tabela fotografike e makinës shihen 13 predha, unë thjesht dua të di shkakun.
Avokati: Ke përdorur numër tjetër telefoni?
Arjan Ndoja: Kam patur vetëm në momentet e fundit para ngjarjes.
Avokati: E mbani numrin e Pëllumb Muharremit?
Arjan Ndoja: Jo nuk e kam patur.
Avokati: Në mjet është gjendur një dosje hetimore në portobagazhin e mjetit, e vjedhur nga prokuroria e Durrësit lidhur me falsifikimin e pronave në Hamallaj. Çfarë dijeni keni me këtë dosje?
Arjan Ndoja: Kam dhënë sqarime në Prokurorine e Posaçme, nuk kam dijeni për dosje të vjedhur. Tek makina ime kanë qenë disa materiale që e ka patur një avokat, materialet janë të atij.

