Bota
Lavrov kërkon një “OKB” të re, Rusia përdor Kosovën për të kërkuar një rend të ri global
Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, përdor shembullin e Kosovës për të sulmuar Perëndimin dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në një editorial të publikuar në uebsajtin e ministrisë së tij, thekson se e drejta ndërkombëtare nuk po zbatohet.
“Situata nuk është më e mirë me zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, të cilat, sipas Kartës së OKB-së, janë të detyrueshme. Të gjithë kemi vëzhguar sabotimin e vendimeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe marrëveshjet e Dejtonit për Bosnje-Hercegovinën. Shembulli më flagrant mbetet ngecja për gati 80 vjet e rezolutave të konsensusit për krijimin e një shteti të pavarur palestinez që bashkëjetonte në paqe dhe siguri me Izraelin”, tha Sergej Lavrov, ministër i jashtëm i Rusisë.
Megjithatë, Lavrov thotë se nuk është vonë për t’i dhënë një jetë të re OKB-së. Ministri rus pretendon se “politika agresive perëndimore” ndaj vendit të tij po “bllokon funksionimin e të gjithë sistemit të qeverisjes globale, përfshirë Këshillin e Sigurimit.
“Është e qartë për shumicën botërore se konfrontimi dhe hegjemonia nuk do të zgjidhin një problem të vetëm global. Ata vetëm frenojnë artificialisht procesin objektiv të formimit të një rendi botëror shumëpolar, i cili do të bazohet në barazinë e të drejtave të kombeve të mëdha dhe të vogla, respektimin e vlerës njerëzore, barazinë e burrave dhe grave dhe të drejtën e popujve për të përcaktuar vetë fatin e tyre”, deklaroi Lavrov.
Ministri Lavrov shpjegon dhe arkitekturën e rendit të ri global që sipas tij nis me reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke zgjeruar përfaqësimin e vendeve dhe rajoneve, përfshirë Jugun dhe Lindjen Globale, siç i cilëson ai, Afrikën, Azinë dhe Amerikën Latine.