Connect with us

Kosova

LETRAT E DASHURISE për Vuçiçin që mbërritën vonë në Beograd

Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi,ne nje shkrim autorial ka thene se  “Çfarëdo drejtimi të marrë çështja e Kosovës, as Franca dhe aq më pak gjithë Bashkësia Ndërkombëtare nuk do lejonin kurrë që Kosova të kthehej aty ku ishte – në Serbi. Prandaj Vuçiç me 3 miliardë dollarët ka blerë vetëm kohë por jo avionë ushtarakë Rafale, të cilët do t’i mbajë përjetësisht në depo.

Sipas publicistit te njohur, “Aleksandër Vuçiç, që për hir të së vërtetës, ka arritur ta nxjerrë Serbinë nga gropa e luftës dhe izolimit ekonomik të viteve 1990, ka vetëm një siklet të cilin e tregon shpesh duke rënkuar në publik. Ai nuk pranon dot të hyjë në histori si Presidenti që firmosi ikjen e Kosovës. Ai do ta shtyjë këtë datë mundësisht pas vdekjes së tij. Kjo është ëndrra e tij më e keqe. Ai refuzon të hyjë në historinë e Serbisë si një tradhtar. Si njeriu që shiti Kosovën për të hyrë në Evropë, sepse ky është çmimi që i është vënë përpara. Kur e mendon këtë është gati të bëjë gjithshka, përfshi blerjen e armëve.

“Aleksandër Vuçiç i ngjan një njeriu që po shet gjithë pasuritë e shtëpisë për të mos firmosur një kontratë me komshiun. Një muaj më parë i dha Gjermanisë pasurinë më të madhe të vendit, litiumin. Kosova jashtë Serbisë po i kushton më shumë se kur ishte brenda. Megjithatë ai do ta paguajë këtë çmim dhe do paguajë edhe më tepër në të ardhmen, sepse kërkon të blejë kohën. Ose më saktë shtyrjen e kohës. Rafalet do vijnë në Serbi, atëherë kur atij mos i duhen më. Në vitin 2029, vetë Aleksandër Vuçiç mund të mos jetë më në pushtet. Ai mund të ketë ikur nga puna si njeriu që harxhoi më shumë për luftën por nuk bëri dot asnjë luftë. Ai sot është më i dobët se kurrë. Kuotat elektorale janë të brishta dhe është e vështirë të parashikosh cfarë ndodh me të pesë vite me vonë, kur Rafalet të fluturojnë mbi Beograd si një letër dashurije. Si një letër dashurije që mbërrin me vonesë, atëherë kur dashuria ka mbaruar. Prandaj gjuetari hap letrat dhe kujton me mall, se dikur, në rininë e tij bleu disa armë të shtrenjta, të parfumosura dhe të shkëlqyeshme, të cilat erdhën atëherë kur nuk iu deshën më.

Për të kënaqur sytë dhe vizitorët, i ka vendosur mbi oxhakun e shtëpisë, aty ku tani po ngrohet duke lexuar letrat e vjetra të cilat të gjitha mbarojnë me dedikimin mallëngjyes: FROM PARIS WITH LOVE

Advertisement