Connect with us

Kosova

Letrat e Vuçiç ikin me erën/ Ja çfarë meraku ka presidenti serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se ka dërguar 15 letra për vendet me ndikim të Bashkimit Europian, SHBA-së, Kinës dhe Rusise për situatën me Kosovën.

Vuçiç tha në TV Happy se u ka thënë këtyre vendeve se Serbia do paqe dhe jo luftë.

Presidenti serb gjithashtu deklaroi se elitat politike të vendeve perëndimore do të përpiqen ta përshpejtojnë zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve në Parlamentin Europian.

Sipas tij, elitat politike në Europë “po nguten”, pasi “vlerësohet se partitë e gjelbëra dhe ato të majta do të marrin më pak vota se sa kanë pasur deri më tani”.

Vuçiç po ashtu theksoi se Perëndimi po nxiton ta përshpejtojë zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse “nuk janë plotësisht të sigurt se Ukraina mund ta mposht Rusinë”.

“Prandaj duan ta fusin Serbinë në hinkë dhe ta përfundojë atë histori” – theksoi presidenti serb.

Nga ana tjetër, Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiç, duke folur për deklaratën e presidentit serb se do ta ngrejë çeshtjen e Kosovës në Këshillin e Sigurisë në OKB, kujtoi se Aleksandër Vucic ka paralajmëruar vazhdimisht dërgimin e letrave për zyrtarët botërorë por dhe theksoi se kjo lëvizje është shumë serioze, më e rëndë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës që krijoi një vakum sigurie në pjesën veriore të Kosovës.

Janjiç u shpreh se kjo mund të jetë një pikë kthese jo vetëm për çështjen e Kosovës, por edhe për zgjedhjen e Serbisë mes integrimeve euroatlantike dhe Rusisë.

“Vetë fakti që letra po dërgohet, është sfidë për të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Vuçiç i hap hapësirë Rusisë dhe Kinës, të cilat janë të kënaqur me çdo diskutim, për të treguar se nuk ka stabilitet në Ballkanin Perëndimor pa rifilluar Grupi i Kontaktit” – theksoi Janjić.
“Nëse do ta përkrahnim debatin dhe mendoj se do të ishte e mençur, sigurisht që nuk duhet të jetë vetëm Serbia raportuese, por duhet të dëgjohet edhe pala e UNMIK-ut. Kjo do ta pengonte Rusinë të hapte një luftë të ftohtë diplomatike për çështjen e Kosovës pas shpinës së Serbisë, me të cilën Serbia do të abuzohej si në 2006 dhe 2007. Vitet kur negociatorët Koshtunica dhe Tadic angazhuan Rusinë, e cila abuzoi me dialogun e Ahtisaarit dhe bllokoi çdo marrëveshje “ – potencoi Dushan Janjiç

Advertisement