Connect with us

Kronike

Letrat nga qelia të spiunes ruse: Ruhem si terroriste e rrezikshme

E izoluar për më shumë se dy muaj në një qeli të veçuar, Svetlana Timofeeva, blogerja 33-vjeçare ruse e arrestuar për spiunazh në Shqipëri, nisi të ëndërronte për një regjim të zakonshëm burgu. “Në oborrin e shëtitjes është e modës të luash basketboll dhe në përgjithësi, regjimi i burgut i ngjan një konvikti studentësh, vetëm se pa internet dhe pa të drejtën për të dalë jashtë,” shkruan Timofeeva në një letër dërguar miqve më 17 tetor. Por ajo nuk kishte qenë ende në atë burg dhe e përshkruan atë sipas rrëfenjave të njërës prej oficereve të shërbimit.

Ndryshe nga të burgosurat e tjera, Timofeeva u mbajt e izoluar në një seksion të zbrazët në Spitalin e Burgut në Tiranë nga 24 gushti deri më 16 nëntor, në një qeli ku komunikimet, gazetat dhe fjalëkryqet ishin të ndaluara dhe ku i vetmi kontakt me botën ishin britmat e një pacienteje të sëmurë në repartin ngjitur. “Oficeret e shërbimit janë po aq të trashura sa edhe unë, ato punojnë në turne 8-orëshe me një pushim, dhe habiten se pse unë jam këtu dhe pse duhet të ruhem si një terroriste veçanërisht e rrezikshme,” shkruan më tej ajo.

Përmes tre letrave nga qelia, Svetlana Timofeeva përshkruan situatën e saj të pazakontë si një shtetase ruse e burgosur në Shqipëri, në një kohë gjithashtu të pazakontë lufte, ku posta me Rusinë është nën embargo. Ajo ia ka dorëzuar letrat avokatit të saj, ndërsa BIRN i siguroi ato përmes Anastasia Krylova, një prej të njohurave të Timofeevas, e angazhuar në një fushatë për të ndihmuar lirimin e saj. Trajtimi i Timofeevas gjatë periudhës së paraburgimit në Shqipëri, përfshirë mbylljen në spitalin e burgut për më shumë se dy muaj, është bërë objekt i një hetimi të ndërmarrë nga Avokati i Popullit. “Ne do hetojmë vendimmarrjen për të qëndruar atje, ndërkohë që nuk ishte e sëmurë,” tha Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca për BIRN.

Avokati i Timofeeva, Fatmir Lushi i tha BIRN se klientja e tij vazhdon të mbahet e veçuar edhe pas transferimit nga spitali i burgut në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, IEVP “Ali Demi”, i njohur ndryshe si burgu i grave. “Për arsye sigurie pretendojnë, mbahet e veçuar,” tha Lushi në një telefonatë.

 

 

Prokurori i çështjes, Kreshnik Ajazi, tha se prokuroria nuk kishte kërkuar trajtim të veçantë të Timofeevas dhe se nuk kishte kompetencë mbi vendin e ekzekutimit të vendimit penal. Ndërkohë, IEVP “Ali Demi” tha në një përgjigje me shkrim se e paraburgosura po mbahej e veçuar pas një vlerësimi risku nga komisioni multi-disiplinor në institucion, që e gjetur atë me “risk të lartë”.

Advertisement