Bota
Lëvizje e paralajmëruar? Koreja e Veriut dërgon trupa për të luftuar me Rusinë
Koreja e Veriut ka nisur të dërgojë trupa për të luftuar me Rusinë në Ukrainë, ka thënë agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut ndërsa Seuli paralajmëroi për një “kërcënim të rëndë sigurie”.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol bëri thirrje për një takim sigurie të premten dhe tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të përgjigjet me “të gjitha mjetet në dispozicion”.
Kjo vjen pasi shtohen provat se Koreja e Veriut po furnizon Rusinë me municion, siç u demonstrua së fundmi nga rikuperimi i një rakete në rajonin Poltava të Ukrainës.
Moska dhe Pheniani gjithashtu kanë thelluar bashkëpunimin e tyre muajt e fundit. Javën e kaluar, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un përshëndeti presidentin rus Vladimir Putin në ditëlindjen e tij, duke e quajtur atë “shokun e tij më të ngushtë” .
Në takimin e sigurisë të së premtes morën pjesë zyrtarë kryesorë nga Zyra e Sigurisë Kombëtare e Koresë së Jugut, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe Shërbimi Informativ Kombëtar, tha zyra e Yoon.
Pretendimi nga Shërbimi Informativ Kombëtar (NIS) vjen disa ditë pasi burime të inteligjencës ushtarake ukrainase thanë se ushtria ruse po formon një njësi të Koresë së Veriut./BBC