Connect with us

Aktualitet

Lidhja hekurudhore Durrës-Prishtinë, ankimohet tenderi

Pak ditë pas mbylljes së procedurës së prokurimit për studimin e fizibilitetit të linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë kanë filluar edhe ankimimet.

Në Komisionin e Prokurimit Publik në Shqipëri është depozituar ankesa e një prej operatorëve pjesëmarrës të cilët duket se nuk kanë rënë dakord me vlerësimin e bërë mbi këtë procedurë.

Ankimimi ka për bazë autoritetin kontraktor në këtë rast Hekurudhën Shqiptare por ende në faqen e KPP-së nuk është ngarkuar dokumentacioni argumentues i operatorit ekonomik, raporton Monitor.

Në një dalje pak ditë më parë edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se tashmë procesi i tenderimit ishte mbyllur dhe se do të kalohej në një fazë tjetër.

Procedura e prokurimit që kishte në objekt “Studim Fizibiliteti dhe projekt-ide për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë” u hap në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik në mes të tetorit me një fond limit prej 200 milionë lekë apo rreth 1.7 milionë euro.

“Ndërtimi i linjës hekurudhore (Durrës – Prishtinë) është i një rëndësie të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën pasi do të mundësojë një zhvillim të shpejtë të transportit hekurudhor të udhëtarëve dhe mallrave. Kjo linjë e re hekurudhore do të plotësojë së pari nevojat e transportit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe vende të tjera që janë gjithashtu të lidhura me Korridorin Hekurudhor X (dhjetë) dhe Korridorin Hekurudhor IV (katër)”, thuhej në termat e referencës për procedurën e shpallur.

I njëjti dokument jep edhe tre arsyet se pse kjo linjë ka rëndësi të veçantë.

“E para është se përmes kësaj linje hekurudhore shkëmbimi i transportit të mallrave ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit më të gjerë do të rritet ndjeshëm për shkak të kostove më të ulëta dhe kapaciteteve më të mëdha; e dyta lidhet me zhvillimin e transportit hekurudhor të pasagjerëve i cili do të jetë shumë tërheqës dhe i favorshëm për të dy vendet dhe më gjerë; ndërsa e treta është se kjo linjë hekurudhore ofron alternativën më të mirë dhe më të favorshme për lidhjen më të shkurtër të rrjetit hekurudhor të Shqipërisë, përkatësisht të korridorit hekurudhor VIII (tetë) me korridorin hekurudhor X (dhjetë)”, thuhet në dokument.

Kohëzgjatja e pritshme e studimit pas nënshkrimit të kontratës me një operator fitues është 14 muaj, nga të cilët 2 (dy) muaj për Fazën Fillestare dhe 12 (dymbëdhjetë) muaj për përgatitjen e Studimit.

Advertisement