Kronike
Lidhja intime/ ‘3000 euro ose do ti publikojmë’
SHANTAZHONIN NËPËRMJET ‘INSTAGRAM’ SE DO T’I PUBLIKONIN LIDHJEN INTIME, 3 NË PRANGA
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka regjistruar procedimin penal nr.1442 datë 11.10.2022 për veprën penale të “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të parashikuar nga nenet 109/b i Kodit Penal në bazë të kallëzimit të shtetasit E.K.
Ky shtetas shantazhohej nëpërmjet platformës Instagram për t’i bërë publike lidhjen intime. Autorët kërkonin 3000 euro për të mos bërë publike lidhjen intime.
Nga ana e organit të prokurorisë është dhënë autorizim për kryerjen e veprimit simulues të dorëzimit të parave.
Në datë 11.10.2022 rreth orës 10:45 pranë “Rita Park” është realizuar takimi midis viktimës E. K., dhe H.P, ku viktima i ka dorëzuar 3000 Euro shtetasit H.P. Ky person ka ardhur me mjetin e tij Taxi me targa EL 6…A. Ky veprim është dokumentuar edhe me raportet e shërbimit nga Seksioni Operacional i DVP Elbasan.
Nga ana e prokurorit të çështjes është vendosur në përgjim numri telefonik si dhe numrat e tjerë të cilat rezultuan në dinamikë.
Pas dorëzimit taksi është nisur për në Tiranë, e ndjekur nga forcat e policisë, dhe pasi ka pikasur policinë ka ndërruar rrugë. Më pas është bërë nga policia gjyqësore arrestimi i shtetasve H.P., S.H. dhe Xh.Gj, dhe në gjendje të lirë është ndjekur shtetasja nën hetim A.H.
Hetimi për këtë procedim penal është ndjekur në bashkëpunim shërbimet e policisë gjyqësore në DVP Elbasan.