Aktualitet
Ligji, Frika, Njeriu

Nga Reldar Dedaj
Filozofia që përshkon draftin e ri të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili për hir të së vërtetës është një tekst tepër i gjatë, i ngarkuar dhe i mbajtur i fshehtë për javë të tëra; e i bërë publik vetëm pas presionit të opinionit dhe medias, nuk është thjesht vetëm një reformë teknike në emër të “efikasitetit” të drejtësisë. Ai është më shumë se kaq: një program i heshtur politik për të shtrënguar grushtin mbi hapësirën publike, fjalën, mendimin dhe lirinë qytetare.
Dhe këtu, kujtojmë një pasazh nga Kadareja, ku mbreti vendos të ndalojë thashethemet, sepse ato e prishin rendin. Edhe këtu, rendi është bërë më i rëndësishëm se e vërteta, më i shenjtë se fjala, më i patjetërsueshëm se vetë drejtësia. Në emër të tij, të rendit, po sanksionohet frika si politikë shtetërore.
Shqipëria nuk është e para që shkruan një Kod të tillë. Orban në Hungari e shkroi versionin e tij përmes një rregjimi që ndëshkonte jo me plumba, por me nene. Erdogan e ndërtoi me urrejtje pas një grushti shteti, por e mbajti si përmendore edhe kur rreziku u tret. Putin, ai s’e shkroi me laps, por me gjuhën e pushkës: çdo fjalë që nuk përputhej me dogmën shtetërore shpallej tradhti.
Tani, Shqipëria, me një kod që ngjan me këto modele, largohet gjithnjë e më shumë nga Europa e ligjit dhe afrohet me euroazinë e represionit. Aty ku ligji nuk mbrohet nga parimi, por nga urdhri. Aty ku demokracia është një skenografi, ndërsa censura është lënda e parë. Në draftin e propozuar, neni për “përhapjen e informacionit të rremë” parashikon deri në 5 vite burg për këdo që “shkakton panik në popullatë ose cenon rendin publik”. Por kush vendos çfarë është panik? Kush përkufizon rendin? Dhe çfarë është informacioni “i rremë” në një vend ku shteti shpesh ka gënjyer si strategji?
Philip Roth do të thoshte se çdo komb shkruan romanin e tij më të errët pa e kuptuar. Por këtu, Shqipëria nuk po shkruan një roman, por një manual për nënshtrim. Dhe pyetja që na gërryen nuk është vetëm politike, por thellësisht njerëzore: çfarë ndodh me qytetarin kur ligji nuk është më një mburojë, por një shpatë? Dhe më tej: a e mbrojmë më lirinë sepse besojmë tek ajo, apo sepse kemi frikë se pa të humbim identitetin tonë? A jemi ende qytetarë kur nuk na mbrojnë më ligjet, por duhet të mbrohemi prej tyre?
Në këtë çast të përkulur të historisë, Shqipëria nuk po përgatit një reformë. Ajo po shpik një mënyrë të re për të trembur njeriun; njeriun që mendon, që pyet, që reagon. Dhe nëse ky Kod kalon siç është, atëherë nuk është vetëm protesta që do të shkojë në burg, por edhe vetë mendimi si akt. Për këtë arsye, ky nuk është thjesht një moment juridik. Është një moment metafizik. Një përballje midis individit dhe shtetit, midis fjalës dhe frikës, midis drejtësisë dhe asaj që letërsia shqiptare në disa raste e quan “përbindëshi i padukshëm” që sillet rrotull qytetit dhe pret të godasë.
Sepse kur ligji bëhet vegël e dhunës dhe jo pajtim i lirisë me rendin, atëherë ai nuk është më i yni. Dhe kur heshtja shitet si virtyt, atëherë fjalën duhet ta ruajmë si aktin më të lartë të mosbindjes morale. A nuk na ka mësuar historia se ligjet që shkruhen për të frikësuar, gjithmonë më parë kanë ndëshkuar mendimin e lirë dhe më pas vetë lirinë. Prandaj ky nuk është një moment juridik. Është një moment historik, një provë për shoqërinë shqiptare: a do të pranojë të qeveriset me frikë, apo do të reagojë për të mbrojtur parimet më të thjeshta të dinjitetit njerëzor?
Sepse kur ligji nuk është më mburojë, por instrument dhune; kur fjalori i drejtësisë i ngjan më shumë një manuali ushtarak sesa një kontrate qytetare; atëherë jemi më pranë perandorisë së frikës, sesa republikës së së drejtës.

