Kosova
Liliputi kërcënon gjigandin/ Frika e Vuçiç nga supriza e Ukrainës
Para pak ditësh, presidenti serb Aleksandër Vucic i drejtoi ultimatum kërcënues Ukrainës. Sikur po fliste me ndonjë katund të humbur serb të Shumadisë, Vuçiç bëri kërcënimin publik: Nëse Ukraina njeh Kosovën, do të humbë gjithçka brenda ditës.
Por Vucic nuk tha se çfarë do të humbte Ukraina dhe nga kush, sepse nuk kishte çfarë të thonte, pasi sipas analistit Shaban Murati, ‘shteti liliput serb nuk mund ta dëmtojë Ukrainën e madhe në asnjë gjë’.
Në të njejtën kohë Moska po nxit Serbinë për të ndërmarrë ndonjë aventurë tepër të rrezikshme. Agjencia zyrtare ruse e lajmeve “Ria Novosti” ka intervistuar gjeneral-majorin ekstremist serb Luka Kastratoviç, president i klubit të gjeneralëve dhe admiralëve të Serbisë, i cili kërkon që Serbia të ndërmarrë në Kosovë “operacionin special ushtarak”, që bëri presidenti Putin në Donbas dhe që gjenerali fashist serb e quan “goditje preventive”.
Analisti Murati thotë se ajo që e shkaktoi alarmin dhe shqetësimin e madh të presidentit Vuçiç dhe të Serbisë, si dhe të Rusisë prapa saj, ishte letra e përbashkët e 10 kryetarëve të komisioneve të jashtme të parlamenteve të Europës, SHBA dhe Britanisë së Madhe, dhe e 46 deputetëve të tjerë nga këta parlamente, drejtuar në 7 gusht sekretarit amerikan të shtetit Blinken, përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme të BE, Borrell dhe ministrit të jashtëm britanik, në të cilën i kërkojnë një qëndrim të ashpër të Perëndimit ndaj Serbisë për raportet me Kosovën dhe heqjen dorë nga taktikat e pafrutëshme zbutëse ndaj presidentit serb, si dhe shprehin mbështetje për shtetin e pavarur të Kosovës.
“Firma e kryetarit të komitetit të politikës së jashtme të parlamentit të Ukrainës në letrën e përbashkët të përfaqësuesve të parlamenteve europiane dhe amerikane ra si bombë, prandaj Vuçiç reagoi me një ultimatum qesharak” – thekson analisti Shaban Murati