Connect with us

Kosova

Limaj: Serbia fiton nga plani franko-gjerman

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka degraduar në dy vitet e fundit.

Sipas Limajt, fajtor për këtë është vet kryeministri Albin Kurti. Limaj ka folur edhe për planin e prezantuar nga evropianët, të cilin e konsideron si humbje për Kosovën.

Thotë se me këtë rast, Serbia e fiton Asociacionin dhe nuk e njeh Kosovën si shtet. Limaj ka folur edhe për pozicionin që e ka Kosova dialog, për të cilin thotë se është në disavantazh.

Kreu i Nismës thotë se njohja reciproke është larguar nga kjo marrëveshje, teksa konsideron se dialogu ndër vite e ka pasur këtë synim.

“Ka degraduar dialogu për dy vitet e fundit, nga bisedimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen brenda. Kanë qenë tri principe; e para marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obliguar me njohje brenda. E dyta ka qenë një princip që nëse nuk merremi vesh për të gjitha, nuk jemi marrë vesh për asgjë dhe e treta njohja në fund. Të gjitha këto u zhduken dhe erdhëm në një situatë me një propozim (plani franko-gjerman), dhe kjo ka ardhë si rezultat i sjelljes së këtij njeriu (Kurtit)”, thotë Limaj.

“Ato zhvillime e tensionime që ndodhën në veri të vendit, praktikisht jemi në një situatë ku ne sot 14 për qind e territorit të Kosovës nuk ka ligjshmëri. Një pjesë e madhe e territorit, sot është e paqeverisshme, nuk ka institucione të Kosovës. Bota po thotë se është problem sigurie. Për t’u rikthyer serbët në institucione, duhet me u plotësu kushtin që e kanë nxjerrë, pra Asociacionin”, u shpreh Limaj.

Teksa ka folur për marrëveshjen e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Limaj thotë se kërkesat e ndërkombëtarëve nuk e përmendin më njohjen reciproke.

Shkak sipas tij janë ngjarjet që ndodhën në veri të Kosovës, me ç’rast fajtor e bën kryeministrin Kurti.

“Dy presidentët e ShBA-së, Trump dhe Biden, kanë kërkuar njohjen. Tash më nuk ka këso kërkesa. Tashmë vijnë mesazhe nga këto qendra që duhet pranohet marrëveshja franko-gjermane që nuk e ka njohjen brenda, dhe ky është degradim, kjo ka ndodhur për këto dy vite, sepse ato ‘filmat’ që u bënë vitin e kaluar e kur policia jonë u bllokua nga barrikadat vitin e kaluar në veri, pra të gjitha këto krijuan një situatë krejt tjetër të pakoordinuar e të pamenduara, dhe ia dhanë një shkas presidentit Vuçiqit që t’i largojë serbët nga institucionet”, tha ai për EO.

Limaj ka thënë se në procesin dialogues, Kosova është në situatë të vështirë. Thotë se në këtë fazë, Serbia del më shumë fituese se sa Kosova.

“Kurrë pozicionin më të vështirë negociues nuk e kemi pas sikur tani. Me këtë marrëveshje që po flitet tani, vetëm Serbia fiton. Nuk humb asgjë, njohje nuk jep, Asociacionin e fiton. Kosovën e ka humbur territorialisht moti. Të gjitha këto negociata janë bërë që me e pas njohjen e ndërsjellët. Njohjen nuk e jep, çka jep tjetër Beogradi nga ky proces, asgjë përveç që merr. Asociacionin pa njohje”, u shpreh Limaj.

Advertisement