Kosova
Liridona u vra nga bashkëshorti/ Dëshmon Valon Lluka: Murseli më telefonoi pas krimit…na kanë vrarë
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur sot një seancë e rëndësishme në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Dëshmitari i thirrur në seancë ishte Valon Lluka, personi i parë që, sipas hetimeve, u kontaktua nga Murseli pas ngjarjes tragjike. Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Lluka tregoi për një telefonatë të pazakontë që mori në mëngjesin e asaj dite nga një numër i panjohur.
“Më telefonoi nga një numër që përfundonte me 417. Nuk e njihja. Më shkroi: ‘Urgjent, çele! Urgjente, Naimi!’,” tha Lluka para gjykatës.
“Fillimisht nuk e dija kush ishte, dhe i thashë: ‘Më falni, cili Naim? Jam me mysafirë’. Ai më tha: ‘Murseli, o Valon, na kanë vrarë’.”
Sipas dëshmitarit, Murseli i kishte thënë se ishin qëlluar dhe se dikush ishte vrarë, duke lënë të kuptohet që bëhej fjalë për bashkëshorten e tij, Liridona Ademaj. Lluka theksoi se telefonata nuk ishte bërë nga telefoni personal i Murselit dhe se ai nuk i kishte treguar vendndodhjen.
Prokuroria konfirmoi se kjo ishte telefonata e parë që Murseli bëri pas ngjarjes. Seanca gjyqësore po vazhdon me dëshmitarë të tjerë dhe mbledhjen e provave që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
Rasti i Liridona Ademajt
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në Prishtinë. Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh. Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin. Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me dorasin Plava. Plava akuzohet se ka kryer vrasjen. Murseli dhe Kokalla u deklaruan të pafajshëm, ndërsa Plava nuk pranoi të deklarohej për fajësinë.
Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim. Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj për ta varrosur në varrezat e familjes Ademaj. Që nga viti 2010, në Kosovë u vranë rreth 60 gra – shumica nga bashkëshortët e tyre. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve – gjë që, sipas tyre, i trimëron dorasit.