Connect with us

Rajon

Lista Serbe e konfirmon: Do të marrim pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Lista Serbe partia më e madhe e serbëve të Kosovës  njoftoi të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se ndër arsyet e vendimit të saj për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe një incident që ndodhi të enjten, kur deputetët e saj u penguan të hynin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Listës Serbe paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj sa për të ruajtur mandatin dhe për të siguruar vazhdimin e marrjes së pagave.

Të enjten, ata s’u lejuan të hynin në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi ata për keqpërdorim të parasë publike.

Duke iu referuar këtij incidenti, Lista Serbe th: “Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin të informojmë publikun se Lista Serbe, më e fortë se kurrë, do të marrë pjesë në zgjedhje”.

“Ne do t’i fitojmë që të gjitha dhjetë mandatet e destinuara për popullin serb dhe do ta ruajmë unitetin dhe harmoninë e popullit serb në këtë zonë. Populli serb do të tregojë në zgjedhje për kë beson dhe kë dëshiron si përfaqësues të tij”, tha ajo.

Deri në njoftimin e së premtes nuk ka qenë plotësisht e qartë nëse Lista Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – do të merrte pjesë në zgjedhje, edhe pse kryetari i saj, Zllatan Ellek, kishte paralajmëruar pjesëmarrjen muajin e kaluar.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe janë të vetmit që përfaqësojnë interesat e popullit serb në Kosovë dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi një halë në sy për regjimin e [kryeministrin e Kosovës] Albin Kurti, por edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë”, tha Lista Serbe, e cila ia ka bojoktuar seanca parlamentare prej nëntorit të vitit 2022.

Advertisement