Kronike
Lista Serbe kundër Gërvallës: Osmanin e zgjodhët falë Milan Radojiçiçit, a ishte i mirë?
Lista Serbe i ka dalë në mbrojtje ish-nënkryetarit të saj, Milan Radojiçiç – terroristit që mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi, ka reaguar pas fjalimit të Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila, gjatë fjalës së saj, e apostrofoi kreyterroristin Milan Radojiçiç, duke përmendur lidhjet e tij të ngushta me politikanët kryesorë në Serbi.
Në reagimin e Listës Serbe, thuhet se “Gërvalla ‘harroi’ të përmendë atë që prej ditësh po dëgjojmë dhe lexojmë në mediat shqiptare – se si zyrtarët e partisë në pushtet, sipas urdhrave të Albin Kurtit, e telefonuan dhe iu lutën Radoicicit t’ju siguronte votën e nevojshme për zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani”.
“Falë Radojiçiçit, i cili siguroi votën e goranëve, Osmani u zgjodh presidente. Atëherë Radoiçiç-i ishte i mirë për ta? Gënjeshtrat dhe hipokrizia e zyrtarëve të Prishtinës nuk kanë fund, por nervozizmi dhe obsesioni i tyre ndaj Vuçiç-it dhe Radoiçiç-it tregojnë se tirania e tyre po shkon drejt fundit” – pretendojnë nga partia e dirigjuar nga Beogradi.
Kujtjme se Qeveria e Kosovës i ka mohuar deklaratat e Behgjet Pacollit se me kërkesë dhe në prani të Kurtit ai kishte biseduar me Radojiçiç-in, duke thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.
Shkurt për këto deklarata ka folur edhe presidentja Osmani. Ajo ka thënë se “tani është kohë zgjedhjesh, lloj-lloj deklaratash dëgjon”, derisa sugjeronte që pyetjet për këtë temë t’i drejtoheshin zyrës së saj.